Champions League rikthehet sërish dhe sonte luhen një pjesë e ndeshjeve të treta në grupe. Sfidat që spikasin mbi të tjerat janë dy: Real Madrid-Inter dhe Atalanta-Liverpool. Spanjollët, që janë edhe rekordmenët e Champions, do tentojnë triumfin e parë.
Nga ana tjetër të njëjtën gjë synon edhe Interi, që në dy takimet e para ka dalë barazim dhe sonte nuk do të ketë të gatshëm as sulmuesin Romelu Lukaku. Kjo përballje luhet prej orës 21:00, ashtu sikurse sfida mes djemve të Jurgen Klopp dhe Gan Piero Gasperinit.
Champions sot nis në orën 18:55 në fakt, me sfidat Lokomotiv Moscow-Atletico Madrid dhe Shakhtar Donetsk-Borussia M’Gladbah. Sonte luajnë edhe Bayern Munich dhe Manchester City. Kampionët në fuqi përballen me RB Salzburg në transfertë, kurse Qytetarët presin grekët e Olympiacos.
Nata e Champions ka edhe përballje të tjera, që ndoshta në vendin tonë nuk kanë shumë interes. Bëhet fjalë për sfida si Porto-Marseille dhe Midtjylland-Ajax. Sa u takon shqiptarëve, Berat Gjimshiti dhe Mërgim Berisha priten në fushë dhe luajnë kundër dy ekipeve që kanë triumfuar në Champions dy sezonet e fundit. / abcnews.al