NASA i ka dhënë jetë të dielën misionit “Prekja e Diellit”, që synon të çojë pranë Diellit sondën e parë në histori, e cila do të monitorojë dinamikën e asaj pjese të atmosferës që ndikon tek planeti Tokë.
Agjencia hapësinore amerikane NASA ka lëshuar të dielën satelitin e parë që parashikohet t’i afrohet Diellit në një distancë të paarritur më parë. Raketa me sondën “Parker Solar” u nis nga baza Kejp Kanaveral në Florida në 3 e 31 me orën lokale, në 9 e 31 me orën tonë, një ditë pas përpjekjes së parë që dështoi. Është hera e parë që një sondë merr emrin e një njeriu, atë të astro-fizikantit Eugene Parker, 91 vjeç, i pari që foli për erën diellore në vitin 1958. Një orë pas lëshimit të saj, NASA njoftoi se shpërbërja e pjesëve të raketës ishte kryer me sukses dhe se mjeti po vijon fluturimin drejt hapësirës. Qëllimi i misionit është që sonda të hyjë direkt në atmosferën e jashtme yjore.
Në bazë të kursit të përcaktuar, ajo pritet të tejkalojë planetin Venus pas 6 javësh dhe të bëjë takimin e parë me Diellin pas 6 javësh të tjera. Në tërësi, sonda “Parker” do të bëjë 24 rrotullime në hapësirë në 7 vitet e ardhshme për të studiuar dinamikën e sistemit yjor, zona ku ndodh shumica e aktiviteteve që ndikojnë tek Toka. Objekti do të hyjë thellë në këtë atmosferë dhe do të bëjë analizën e kampioneve të saj./abcnews.al