Napoli mbetet me shpresë për titull

schedule09:20 - 19 Prill, 2018

schedule 09:20 - 19 Prill, 2018

Gara për titullin në Serinë A mbetet e hapur. Juventusi gaboi, ndërsa Napoli arriti një fitore të vështirë, duke qenë tani vetëm 4 pikë larg
Një tjetër roveshatë ndëshkon kampionët.
Pas asaj që i ndodhi me Cristiano Ronaldon në Champions, ja goditja e radhës, këtë herë në kampionat, në fushën e modestes Crotone.
Ishte një nigerian shtatlartë, me emrin Simi, që realizoi golin vërtet të veçantë që i hoqi Juventusit fitoren nga dora, dhe ia ndërlikoi rrugën drejt titullit.
Barazim 1-1 dhe diferencë e shkurtuar në 4 pikë ndaj Napolit ndjekës, kur duhen edhe 5 ndeshje deri në përfundim të Serisë A.
Ja që edhe kampionët mund të gabojnë, e të mos jenë të përsosur, ndonëse mbeten favoritë për suksesin përfundimtar, duke pasur 85 pikë ndaj 81 të napolitanëve.
Juve kaloi në epërsi me golin e Alex Sandros që në minutën e 16 dhe u mendua se do të fitonte, por nuk ia doli.
Napoli përfitoi, ndonëse e pati tepër pisk ndaj Udinese, brenda në “San Paolo”.
Fitoi 4-2 pasi u ndodh dy herë në dizavantazh, duke treguar se nuk i mungon karakteri edhe kur gjendja duket e pashpresë.
Insigne, Albiol, Milik e Tonelli ishin autorët e golave për ekipin e trajnerit Maurizio Sarri, që kishte sërish si titullar mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.
Nëse gara për titull mbetet e çelur, edhe më e hapur është ajo për kualifikim në Champions.
Lazio, Roma e Interi janë në garë, dhe diferenca mes tyre është vetëm 1 pikë.
Lacialët e Tomas Strakoshës kaluan një dramë në Firence, duke ia dalë në fund ndaj Fiorentinës.
Përfundoi 4-3 në stadiumin “Artemio Franki”, ku fillimisht pati dy kartonë të kuq e pastaj 7 gola.
Për kryeqytetasit shënuan Luis Alberto, Martin Casseres, Felipe Anderson dhe sërish Luis Alberto.
Rivalët e tyre, po ashtu nuk gabuan me Romën që kaloi 2-1 Genoan në stadiumin “Olimpico” dhe me Interin që mposhti 4-0 Cagliarin, një ditë më parë.
Nga Championsi abdikon Milani pas barazimit 1-1 në fushën e Torinos.
Ky rezultat e lë ekipin e trajnerit Gatusso10 pikë pas, një diferencë që praktikisht nuk mund të kapërcehet.
Në renditje, Lazio e Roma kanë nga 64 pikë, Interi 63, ndërsa Milani 54./abcnews.al