Napoli… fitorja e një populli

schedule22:55 - 23 Prill, 2018

schedule 22:55 - 23 Prill, 2018

Suksesi i Napolit ndaj Juventusit nuk ishte vetëm një fitore futbolli. Trajneri Sarri e quan një fitore të popullit, ndërsa qyteti i Italisë së Jugut pret titullin si në kohën e Maradonës.

Tre vjet më parë, dilte në skenë me një barrë të rëndë mbi supe.

Maurizio Sarri ishte caktuar trajner i Napolit, skuadrës së qytetit të tij të lindjes, dhe për të nuk ishte e lehtë të përmbante veten.

“Jam i emocionuar prej 20 ditësh, – u shpreh ai në prezantim, – kam qenë i emocionuar për Napolin që kur isha kundërshtar”.

Misioni i tij ishte thuajse i pamundur, të rikthente Napolin në lavdinë e dikurshme, të kohës së Diego Armando Maradonës.

U desh të vinte minuta e fundit e sfidës së fundit, asaj të së dielës në mbrëmje në stadiumin e superfuqisë Juventus, që Sarri t’i afrohej realizimit të misionit të tij të madh.

Goli i Kulibalit solli fitoren dhe diferencën prej vetëm 1 pike me kreun.

Në të njëjtën kohë, disa qindra kilometra më në jug, festa ishte masive.

I gjithë Napoli, shprehimisht, kishte dalë në rrugë, i pushtuar nga emocione që në kohët moderne i jep vetëm futbolli.

Ishte sikur të ishte fituar pavarësia, apo sikur qyteti të kishte shpëtuar nga ndonjë fatkeqësi e madhe.

Në Veri të Italisë, në Torino, Mauricio Sarri e shprehu kështu.

Maurizio Sarri: “I kemi dhënë një kënaqësi tepër të madhe një populli të tërë. Kjo sepse ne jemi e vetmja skuadër që përfaqëson një popull, sepse jemi i vetmi qytet i madh vetëm me një skuadër. I kemi dhënë një kënaqësi që shkon përtej klasifikimit dhe çdo diskutimi që mund të bëhet”.

Në stadiumin tashmë mitik, “Allianz Arena”, u luajt vërtet një ndeshje e madhe, ashtu siç pritej, por jo nga ata që priteshin.

Ishte Napoli krejt papritur dominuesi, edhe pse fitorja erdhi vonë.

Ishte merita e plotë e Sarrit që përballë superfuqisë absolute të Italisë nxorri një ekip pa asnjë hije frike, të bindur se mund t’ia dilte edhe në “gojë të ujkut”.

Nuk mund të kishte përmbajtje në dhomën e zhveshjes, aty ku kjo skuadër nuk kishte mundur të festonte asnjëherë, pasi nuk kishte mundur të fitonte asnjëherë.

Shumë të rralla janë skuadrat që ia kanë dalë.

Në mes heronjve edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.

Ky Napoli po, që mund ta fitojë titullin, edhe pse është 1 pikë prapa.

Këtë e ndjenë edhe tifozët që vërshuan me mijëra për të pritur ekipin e tyre në aeroportin e Kapodikinos, njëlloj siç bënë mijëra tifozët shqiptarë kur kombëtarja u kthye nga Beogradi.

Festa nuk mund të mos pushtonte edhe shëtitoren dhe rrugën buzë detit,

Kremtimi zgjati aq shumë sa ishte e udhës, derisa publiku napolitan shpenzoi edhe energjitë e fundit dhe shkoi të flinte me ëndrra për titullin.

Vlerësimi i mediave sportive italiane ishte i gjithi.

Gazeta “Tutosport” e Torinos nuk ka mëdyshje: Këndon Napoli, qan Juventusi!

Media kryesore sportive, “La Gazetta dello Sport” nga Milano: Napoli në -1. Koka është këtu!

Ja edhe “Il Corriere dello Sport”, që thekson: Napoli, goditje për titull. KulibaBUM!

Kalendari I mbetur në Serinë A favorizon Napolin, që do të luajë në fushën e Fiorentinës, do të presë Torinon, do të shkojë në Gjenovë ndaj Sampdorias dhe do të presë së fundi Krotonen.

Juventusi do të luajë në Milano ndaj Interit, pastaj në Torino ndaj Bolonjës, do të shkojë në fushën e Romës.

Trajneri Sarri gjithsesi nuk ka dëshirë të gëzohet para kohe.

Maurizio Sarri: “Ky është viti i 7, gjashtë i kanë fituar dhe janë sërish në krye edhe këtë vit, 4 javë para fundit. Është një stërpushtet teknik, taktik, ekonomik, i të gjithë llojeve. Në 3 sezonet e fundit kanë qenë 2 herë në finale të Championsit. Është e qartë se po luftojmë ndaj një realiteti tepër të madh e të fuqishëm. Merita jonë është që e mbajtëm kampionatin të hapur, ndoshta i vetmi nga kampionatet e mëdhenj të Europës që mbetet i hapur. Gjithsesi, është pak e mundshme që Juventusi të humbasë pikë, pra gjithçka e kanë në dorë ata”.

Çfarëdo që të thotë Sarri, Napoli ka në mendje vetëm këtë ditë, fitoren e titullit të parë kampion në 1987, kur skuadra e udhëhequr nga Diego Armando Maradona, këndonte “O Sole mio”, së bashku me këngëtaren napolitane, Lina Sastri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!