Nano: Problemi ynë nuk janë tradhtarët, por trutharët

schedule20:13 - 9 Nëntor, 2018

schedule 20:13 - 9 Nëntor, 2018

Në episodin e radhës së emisionit “Provokacija” Mustafa Nano iu është kundërpërgjigjur të gjithë atyre që shpifin për të në rrjetet sociale. I keqardhur për marrëdhëniet e prishur me disa kosovarë që e akuzojnë dhe shajnë për tradhtar, Nano shprehet se problemi nuk janë tradhtarët apo të korruptuarit, por trutharët, pasi janë ata që keqkuptojnë opinionet dhe idetë e tij, ndërsa u sugjeron që t’i hapin mendjen dijes.

Monologu i plotë i Mustafa Nanos

Unë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me shqiptarët në Kosovë. Me ata që më kanë ndjekur në televizion apo në gazeta, e kam fjalën. Por ka ca kohë që “flirti” im me një pjesë të tyre nuk ekziston më. Ka ca kohë që këta, kjo pjesë, që nuk e di se sa janë, bën vaki që janë pak, shumë pak, e unë do isha shumë i lumtur po të ishin pak, ka ca kohë pra që këta, kaq pak sa janë, nuk më durojnë dot, madje më urrejnë, gjë që duket në rrjetet sociale.

Unë nuk jam pjesë e rrjeteve sociale. E konsideroj botën e rrjeteve sociale më banalen që mund të ekzistojë në këtë botën e madhe, por janë të tjerët që më thonë se… çfarë nuk thonë për mua! Më shajnë, më fyejnë, shpifin, ose përhapin shpifje që i bëjnë të tjerët. Damka që më kanë vënë së fundmi është ajo e tradhëtarit, e proserbit, e progrekut, e antishqiptarit. Nuk është se shqetësohem nga një gjë e tillë. Jam mësuar tanimë. Më është regjur lëkura. Nuk besoja se do më regjej, por ja që ka ndodhur. E kështu, përpiqem t’i injoroj, e të mos ndikohem në punën që bëj. Nuk është e lehtë, pasi ti, në mos njëherë, njëherë, do të biesh se s’bën në grackën e detraktorëve të tu, por unë stërmundohem që t’i rri larg kësaj gracke. Nuk jam në facebook, në jam në instagram, nuk jam në twitter, dhe jam i sigurtë se nuk do të jem ndonjëherë. Sidomos në facebook. Facebooku ma shpif. Dhe prej zemërimit që kam me facebookun kam filluar të marr zët edhe Mark Zuckerbergun. Ky është gjeni, e di, por me facebookun më ngjan me Frenkeinsteinin.

Sidoqoftë, për keqkuptimin apo moskuptimin që ka lindur më vjen keq. Më dhemb kjo marrëdhënie e prishur me ca kosovarë, nëse nuk e kam pasur të prishur prej kohësh. Nuk është se nuk më merr gjumi, të kuptohemi. Të mos e dramatizojmë. Gjumin e bëj rehat. Por do doja që të kisha marrëdhënien që kam patur me ta. Sikur të varej nga unë. Epo po jua them që nuk varet fare nga unë. E gjitha varet nga lexuesit e shikuesit e keqkuptuar. Janë ata që duhet të ndryshojnë. Nëse presin ndryshimin tim, ky kurrë nuk ka për të ardhur. Sepse unë nuk kam ç’të ndryshoj. Unë thjesht shpreh opinione, dhe të presësh që unë të ndryshoj, do të thotë të presësh që unë të mos shpreh më ato që unë mendoj.

Mund të më thotë ndonjëri që nga unë kërkohet të ndryshoj mendim, e jo të heq dorë prej së drejtës për t’u shprehur. Ok, kjo po, për këtë jam i hapur, sepse nuk e përjashtoj që të jem gabim. Dhe unë ju them: Po, sigurisht që mund ta kem gabim, dhe unë pres që dikush të më shpjegojë pse e kam gabim. Por këtë gjë nuk e pres nga ata që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të merren me nënën time e me gruan time (me që ra fjala, nuk kam grua), me mua vetë. Këtë gjë e pres nga ata që merren me idetë që unë shpreh, nga ata që përpiqen t’m’i hedhin poshtë ato, t’m’i rrëzojnë një e nga një, me argumenta, me fakte, me dokumenta, e me forcën e logjikës së tyre. Provoni dhe ju, detraktorët e mij të dashur, ta bëni këtë gjë! Është kënaqësi të debatosh, të shkëmbesh e të ballafaqosh ide. Është orgazmatike, më besoni. Orgazmatike.

Dhe një gjë të fundit për sonte: Mjaft u lodhët duke gjetur tradhëtarë e renegatë! Mësojeni që problemi ynë nuk janë të liqtë, spiunët, të korruptuarit. Problemi ynë nuk janë tradhëtarët. Problemi ynë janë trutharët.

Kush janë trutharët? Si t’i gjejmë ata? Si t’i zbulojmë? Një tipar të tyrin ua tregoj unë. Trutharët e kanë zakon të flasin për tradhëtarë. Ata shohin një tradhëtar te çdokush që hedh një ide, të cilën ata vetë nuk e kuptojnë, nuk e fusin dot në trurin e tyre. Mirëpo, nuk ua kanë fajin tradhëtarët putativë. Fajin e kanë ata vetë që trurin e mbajnë të mbyllur me drynat e padijes. Prandaj, hapeni atë dreq truri! Në mos,  mbylleni atë dreq goje!

Sa më sipër, e kam vetëm me ata shqiptarë gojëndyrë, që nuk merren me çfarë unë them, por merren me çfarë unë jam. Sa për kosovarët e tjerë, ata i përshëndes. I love you!

Ky ishte monologu im për sonte. Dhe tani le të fillojmë. /abcnews.al