Nano mesazhe për europianizimin me Stand-up Comedy

schedule15:29 - 12 Tetor, 2021

schedule 15:29 - 12 Tetor, 2021

Nga Leontina Nika

Gazetari  i njohur Mustafa Nano për herë të tretë ka zgjedhur të komunikoi përmes zhanrit “Stand-up Comedy”, me publikun shfaqjeje skenike. Shfaqja “Dielli lind andej nga perëndon”, i referohet mesazhit të famshëm naimian thekson autori dhe aktori i pjesës

“Përpiqem të përqesh disa vese tonat dhe shoqërinë shqiptare ta vë përballë një shoqërie perëndimore në mënyrë që të dalin edhe më shumë në pah problemet dhe veset,” thotë ai.

Nano përmes unit të tij, ka në fokus realitetin shqiptar dhe të ardhmen e shoqërisë sonë, e nga ana tjetër, në një kontekst më të ngushtë, është individi e familja shqiptare, që shpesh duhet të tejkalojnë vetveten për të kuptuar se ato që konsiderohen si vlera janë, në fakt, anti-vlera, sipas autorit.

“Unë luaj shpeshherë me veten, ndonjëherë bëj edhe autoironi. Ka shumë njerëz që më marrin për atë që nuk jam, madje edhe më urrejnë për atë që nuk jam. Në këtë show merren në mënyrë të posaçme me këtë pjesë,” thekson Nano.

Nano, i cili është autori i tekstit, e në të njëjtën kohë edhe interpretuesi skenik, përdor humorin, satirën, ironinë e autoironinë, tonet analitike, kritike dhe ato ndërgjegjësuese për të trajtuar, kritikuar e për të reflektuar mbi të metat e shoqërisë sonë, të cilat në disa raste janë të rrënjosura prej shekujsh ndër shqiptarë, e për pasojë sjellin (ashtu si pa kuptuar) një prapambetje kulturore e sociale, po aq sa edhe një frymë larg prej emancipimit europian.

Me këtë “Stand-up Comedy” publiku do të argëtohet e në të njëjtën kohë do të marrë mesazhe ndërgjegjësuese për të “ushqyer” frymën europianizuese në shoqërinë tonë, për të qenë më të hapur, më të paqtë, më pozitivë dhe me një vizion të orientuar drejt perëndimit thekson Nano. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!