Monologu i kësaj të marte në Provokacija u foksua te djegia e Katedrales së famshme në Paris. Duke folur për historinë e saj, Mustafa Nano tha se me djegien e saj u dogj edhe një pjesë e historisë së Francës dhe Evropës, pavarësisht restaurimit, sipas tij asgjë nuk do të jetë si më parë.
Monologu i plotë
Dje, për orë të tëra, teksa mediat raportonin mbi katedralen e Notre Dame-it që ishte përfshirë nga flakët, askujt nuk i shkonte mendja të fliste për viktima në njerëz. Lajmi i mirë është që viktima nuk pati, por edhe sikur të kishte, ato do të ishin një dëm anësor, që nuk do të përmendeshin, e sidomos që do të harroheshin shpejt. Sepse lajmi ishte tjetër: Po digjej një copëz e historisë së Francës dhe të Europës, një ndërtesë gati një mijëvjeçare, me gjithçka kishte brenda, vetrata me xhamin e ngjyrosur të shekullit XII, një organo kolosale e shekullit XVII, kambana të vjetra të mëdha, copë dhjetë, vepra arti, relike të çmuara të historisë, fjala vjen kurora me gjëmba që, siç thuhet te Ungjijtë e Testamentit të Ri, ia vunë mbi krye Jezu Krishtit, teksa po e çonin për ta kryqëzuar në majë të Golgothës, etj, etj. Për fat, pothuajse të gjitha këto kanë shpëtuar. Por një pjesë e ndërtesës ra në tokë, u bë hi. Ndoshta për t’u ribërë, siç ndodh rëndom në këto raste, dhe kur të ribëhet, do të bëhet një festë me pompë të madhe për t’i thënë botës se gjithçka është siç ka qenë më në fund. Por asgjë nuk do të jetë si ka qenë. Nuk do të jetë e njëjta gjë. Sepse është një gjë të hysh në një ndërtesë të ndërtuar me vinça të lartë modernë, dhe është një gjë tjetër të hysh në një ndërtesë të ndërtuar nga mijëra skllevër, në harkun e dyqind viteve. E para e ka emrin tender. Ndërsa e dyta e ka emrin histori, që të emocionon, që të trondit, që të ngjeth mishin.
Dhe historia e kësaj katedraleje fillon me këtë, por nuk mbaron këtu. Aty janë kurorëzuar e martuar mbretër e perandorë, aty perandori Napoleon vuri kurorën gjithashtu, aty është bërë lumturimi e Zhan Darkës së famshme, aty janë bërë ceremonitë e varrimit të njerëzve që kanë lënë gjurmë në histori. Edhe ceremonia e përcjelljes së De Gaul e-it e Miterrand-it aty janë bërë. Ka shumë histori ajo kishë, që është një nga më të bukurat e botës së krishterë.
Filloi të ngrihej në shekullin XII mbi një kishë të vjetër, mbi një bazilikë të mesjetës më të hershme, e cila nga ana e vet ishte ndërtuar mbi një tempull tjetër pagan. Dhe nuk është hera e parë që dëmtohet. Këtë herë është dëmtuar në mënyrë aksidentale, por herë të tjera është dëmtuar në mënyrë të qëllimshme. Gjatë kohës së reformacionit e të luftrave fetare në Europë, hugenotët protestantë dëmtuan shumë statuja me idenë që ishin një idolatri e shëmtuar. Më vonë, gjatë revolucionit të famshëm francez, situatën e morën për ca kohë në dorë revolucionarët ateistë, të cilët, si shumica e revolucionarëve të kësaj bote, nuk shquheshin për ndjesi e emocione fine, përkundrazi, i përbuznin këto të fundit, i quanin çikërrima pa vlerë, në mos të dëmshme, përballë kauzës së madhe të transformimit të botës. Dhe kështu, në vitet ’90 të shekullit XVIII sankuljotët e plaçkitën katedralen gotike, e zhveshën atë prej thesareve që kishte brenda, u këputën kokat statujave, me mendimin se ishin statuja mbretërish, në një kohë që ishin statuja profetësh, partriarkësh, martirësh të kishës katolike. Ishin revolucionarë, jo shaka. Por edhe po ta dinin se ç’statuja ishin, në të njëjtën mënyrë do t’i trajtonin. Këtë herë si ateistë. Është fillimi i epokës së ateizmit të dhunshëm. Katedralja e Notre Dame-it u shndërrua për ca kohë në një magazinë ushqimore. Edhe ateizmi ka qenë brutal herë pas here, duhet ta pranojmë. Brutal ndaj artit, historisë. Por ateizmi është i tillë kur bashkohet me revolucionarin. Përndryshe, është i paqtë. Përndryshe, edhe përlotet kur sheh skena si ajo e mbrëmshmja. Siç janë përlotur me mijëra në Francë e në gjithë botën. Por në fund, si një ngushëllim për të gjithë erdhi lajmi, se më e keqja ishte shmangur. Katedralja e Notre-Dame-it u rezistoi flakëve të zjarrit. Ajo mbeti në këmbë. /abcnews.al

