Në monologun e tij këtë të martë në “Provokacija” Mustafa Nano ka komentuar incidentin me kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Ky i fundit gjatë raportimit në Këshillin e Sigurisë, u tregoi anëtarëve pamje me pistoletë në dorë të nënës së 15-vjeçarit që u dhunua nga policia. Ky veprim i Veliut ka ngjallur debat, ndërsa Nano shprehet se kreu i policisë duhet të ishte dorëhequr.
“Kryepolici i Republikës nuk paska mësuar një gjë minimale: “Askush nuk mund të penalizohet për shkak të biografisë familjare. Pergjegjësia është individuale. Çdo berr varet prej këmbëve të veta.”, shprehet Nano mes të tjerash.
Nano shton më tej se Veliu nuk e dha dorëheqjen, por kërkoi ndjesë, që siç thotë ai mbase i është kërkuar nga kryeministri Rama që ta bëjë. Lidhur me këtë moderatori i drejtohet kryeministrit se nuk duhet të krijojë precedentë.
Monologu nga Mustafa Nano:
Para nja dy javësh isha i ftuar në programin Open të Top Channel-it në një debat mbi protestën në mbrojtje të ndërtesës së Teatrit Kombëtar dhe mbi përplasjen e protestuesve me policinë pas shembjes së ndërtesës. Dhe aty thashë përveç të tjerash, se midis pretendimeve të një protestuesi dhe pretendimeve të një polici jam i prirur të besoj këtë të fundit, dmth policin.
Nuk besoj se do kisha ende gatishmërinë e vullnetin për të besuar një polic përpara një protestuesi. Dhe për ta riparë këtë qëndrim timin ka ndikuar ajo që ka ndodhur para disa ditësh me atë adoleshentin që u rrah nga një grup policësh. Por edhe në këtë rast nuk është ngjarja në vetvete që më ka shqetësuar, pasi kudo ka policë që abuzojnë me detyrën.
Abuzimi i policëve është një dukuri rutinore në çdo vend të botës. Dhe është e kuptueshme. Ata kanë monopolin e ushtrimit të dhunës. Kjo i bën të kenë tundimin të ushtrojne dhunë, pasi vetëm kështu u duket se i japin kuptim marrëdhënies monopolistike që kanë me dhunën. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ata janë më të mbrojtur se kushdo tjetër në këtë botë.
Askush nuk mund të ngrejë dorë mbi policët. Ne mund të shohim disa policë duke abuzuar qartazi kundër dikujt, por ne si qytetarë nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë për të neutralizuar policët. Mund të ngrejmë zërin, por nuk mund të marrin shkopinjtë e gomës apo armët dhe t’u kthehemi policëve. Nuk na lejohet. Dhe nuk mund të jetë ndryshe. Përfytyroni disa qytetarë duke dhunuar disa policë me synimin për t’i penguar këta të fundit të kryejnë një abuzim. Nuk shkon, apo jo? Do ishte e rrezikshme. Kur ligjin e merr në mbrojtje qytetari, kjo është e rrezikshme. Ligjin duhet ta marrin në mbrojtje vetëm policët.
Përsëris: tre-katër policë që ushtrojnë dhunë nuk janë një gjë e çuditshme. E çuditshme është që të mos veprohet kundër tyre. E çuditshme është që drejtuesit e policisë të marrin në mbrojtje policët e dhunshëm. Siç ishte në këtë rastin me adoleshentin shqiptar, ku ndaj policëve që ushtruan dhunë, ndonëse u filmuan, nuk u morën masa.
Përkundrazi, u morën në mbrojtje. Ishte drejtori i përgjithshëm që i mori në mbrojtje. Dhe për ta përforcuar mbrojtjen e tyre bëri edhe një të pabërë. Na shfaqi një video ku dukej nëna e adoleshentit me një armë në dorë. Dhe e sfidoi opinionin publik duke e komentuar në mënyrën e vet atë video. “Shikoni se çfarë familje ka ai adoleshent, për të cilin ju ndjeni keqardhje e provoni empati!” Kryepolici i Republikës nuk paska mësuar një gjë minimale: “Askush nuk mund të penalizohet për shkak të biografisë familjare. Përgjegjësia është individuale. Çdo berr varet prej këmbëve të veta.”
Të nesërmen doli që nëna e adoleshentit nuk ishte një gangstere urbane. Ajo mbante në duar një armë, ngaqë ishte në një shesh xhirimi të një filmi. Por kjo nuk ka rëndësi. Kjo thjesht e bën edhe më qesharak kryepolicin. E rëndësishme është ajo e para. Kryepolici i Republikës sonë mendon se një adoleshent është fajtor, dhe mban përgjegjësi, dhe duhet poshtëruar, për prindërit që ka.
Çfarë Ardi Veliu ka bërë nuk tregon se ai është burrë i lig, apo se ai është i poshtër, apo ku di unë se çfarë. Jo, tregon që ai nuk është për atë punë. Nuk mund ta mbajë atë përgjegjësi të madhe publike. Sikur të isha në vend të tij, do të kisha dhënë dorëheqjen menjëherë. Do ta bëja këtë për të mos njollosur nderin e trupës se madhe policore, e për të bindur publikun se ajo që ndodhi ishte një ngjarje episodike, e jo një dukuri sistemike. Por ai nuk e ka dhënë. Ka kërkuar thjesht një ndjesë publike, që nuk u mor vesh se për çfarë ishte. Ndoshta i tha kryeministri të kërkonte ndjesë publikisht, ngaqë kështu mund ta përdorte për ta mbrojtur atë. Siç e përdori kur tha se midis kryepolicit që kërkon ndjesë e moralistëve të vendit, ai është me të parin.
Zoti Rama, nuk është pune moralistësh këtu. Çështja është tjetër. Mos na krijoni precedentë të rrezikshëm. Mos na vendosni stekën në vendin e gabuar, të cilën do ta mbajnë si pikë referimi pasardhësit tuaj siç ju kanë lënë juve si pikë referimi policë të tjerë të gabuar. Jepni shembullin tuja. Na tregoni se policia është e Republikës, dhe jo e juaja.
/abcnews.al