Shefja e Infektivit është shprehur për Radarin Informativ në ABC, se protokolli i mjekimit të pacientëve me Covid-19 ka ndryshuar. Në një lidhje direkte nga Infektivi, Çomo u shpreh se protokollet përshtaten në varësi të situatës shëndetësore të çdo pacienti.
Po ashtu, mjekia shpjegoi se Remdesivir përdoret tek Infektivi, por shton ajo, në ato raste kur vlerësohet se pacienti duhet ta përdorë këtë medikament.
Sipas Çomos, barnat që përdoren për pacientët me Covid-19 në vendin tonë, janë të njëjtat që përdoren sipas protokollit në të gjithë botën.
“Protokolli i mjekimit është një proces dinamik, ju keni përcjellë çfarë ndodh në botë, protokollet kanë ndryshuar në vazhdimësi. Ne i përshtasim protokollet tona në varësi të situatës shëndetësore të çdo pacienti. Remdesiviri përdoret edhe në Infektiv, por në ato raste kur vlerësohet se pacienti duhet të përdorë këtë medikament. Ky ilaç merret vetëm në kushte ambulatore ose spitalore për pacientin. Ne gjithashtu përdorim dhe plazma imune, e cila është futur në proces për kurimin e pacientëve. Barnat që përdoren për pacientët me Covid në vendin tonë, janë të njëjtat që përdoren sipas protokollit në të gjithë botën,” u shpreh shefja e Infektivit. s.b/abcnews.al/