Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për rihapjen e Korridorit Lachin, e vetmja rrugë që lidh Armeninë me enklavën e Nagorno-Karabakut, ndërsa u bëri thirrje qeverive të Armenisë dhe Azerbajxhanit të rifillojnë bisedimet e paqes.
Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken diskutoi këtë çështje me presidentin e Azerbajxhanit Ilam Aliyev. Blinken këmbënguli në nevojën për të siguruar lëvizjen e lirë të mallrave, automjeteve humanitare dhe private sipas deklaratës së Departamentit të Shtetit.
Që nga dhjetori, Armenia ka paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar kundër rrezikut të një krize serioze humanitare në enklavën separatiste, për shkak të mungesës së ushqimit dhe ilaçeve të shkaktuara nga kufizimi i trafikut në këtë korridor.
Blinken zhvilloi gjithashtu bisedime me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, duke shprehur mbështetjen e tij për bisedimet e paqes midis dy vendeve rivale dhe duke theksuar nevojën për “dialog të drejtpërdrejtë”, sipas një njoftimi të veçantë për shtyp.
Ai mirëpriti homologët e tij në Uashington në fund të qershorit për bisedimet midis Jerevanit dhe Bakut dhe foli për “progres”, por asnjë marrëveshje nuk u nënshkrua.
Negociatat e paqes pritet të zhvillohen brenda muajit, të ndërmjetësuara nga BE. Dy ish-republikat sovjetike të Kaukazit u përfshinë në dy luftëra, në vitet 1990, kur BRSS u shemb, dhe në 2020, mbi kontrollin e Nagorno-Karabakut.
Pas luftës gjashtë-javore në vjeshtën e vitit 2020, në të cilën Azerbajxhani rimori territorin e kontrolluar nga Armenia për dekada, Baku dhe Jerevani nënshkruan një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Moska.
/abcnews.al