Bayern Munchen fitoi Superkupën e Gjermanisë në mesjavë, ndërsa të dielën luan në Bavari takimin e dytë të kampionatit. Përballë Koln, kundërshtar të cilit djemtë e Julian Nagelsmann do tentojnë t’i shënojnë sa më shumë gola për të mbërritur te fitorja e parë në kampionat.
Trajneri i kampionëve të Gjermanisë preku disa tema në prononcimin për mediet, aty ku ndalet edhe te Robert Lewandowski, të cilin zërat e merkatos e lidhin me një largim nga skuadra bavareze. “Manuel Neuer nuk është stërvitur sot me skuadrën.
Dëmtimi i tij nuk është dramatik, por kapiteni ka nevojë për kohë, kështu që nuk do të luajë ndaj Koln. Në finalen e Superkupës luajtëm shumë mirë, e merituam trofeun. Tolisso? Po paraqitet mirë, por nuk është akoma në 100%-in e tij.
Lewandowski? Nuk më shqetësojnë zërat e merkatos. Nëse do të isha trajner diku tjetër, ndoshta do telefonoja lojtarin për të mësuar më shumë rreth situatës së tij. Robert ndodhet në formë të shkëlqyer, flas shumë me të, e shoh gjithë kohën duke biseduar me shokët e skuadrës.
E shoh që ndodhet në gjendje të mirë dhe ndihet mirë, kjo ka rëndësi më të madhe për mua se thashethemet që qarkullojnë në botën e futbollit“, deklaroi trajneri i Bayern Munchen, i cili pas trofeutr të parë, synon tre pikët e para në “Allianz Arena”. /abcnews.al