Sipas gjermanes “Die Zeit” nacionalistët në Maqedoni dhe serbët në Bosnje e Hercegovinë kanë të njëjtin qëllim: të pengojnë vendet respektive për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Në një analizë të gjatë mbi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Bosnje dhe Herzegovinë, gazeta gjermane “Die Zeit” krahason situatën me referendumin në Maqedoni, duke theksuar se qëllimi i nacionalistëve në të dyja vendet është pengimi i anëtarësimit në BE dhe NATO.
Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, rajoni i Evropës Juglindore është mbingarkuar nga nacionalizmi etnik, i cili kërkon shpëtim në ndarjen e popujve dhe komuniteteve, vijon më tej analiza. E ky nacionalizëm bllokon përpjekjen për t’u integruar në aleanca përtej kufijve etno-nacionalë.
Si shembull të një politike të tillë, “DieZeit” përmend kreun serb të BeH, Milorad Dodik, i cili po punon për një ndarje të BeH dhe një bllokadë të anëtarësimit të vendit në BE dhe NATO.
Qëndrimi i Dodik gjen të njëjtën frymë, sipas “Die Zeit”, në Maqedoni. Duke përmendur këtu se maqedonasit fundjavën ekaluar votuan në referendum mbi ndryshimin e emrit, i cili do të duhej t’i hapte vendit rrugën për në BE dhe NATO.
Por kundërshtarët e referendumit marrin mbështetje të fortë nga Vladimir Putin. Rusia në të gjithë rajonin mbështet nacionalistët, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të NATO-s dhe BE-së.
Kreu serb boshnjak, Milorad Dodik, takohet rregullisht me presidentin rus dhe partia e tij ndjek kongreset e partisë “Rusia e Bashkuar” në Moskë. BE-ja deri tani ka qenë më e suksesshme se Rusia sa i përket ndikimit. Ndërsa Putin dërgoi agjentët e tij për të punuar në terren, BE u përqendrua në oferta dhe thirrje konkrete.
Gjermanët e shtuan thirrjen për reforma dhe bashkëpunim nëpërmjet procesit të Berlinit. Europa i drejtohet mendjes dhe nevojave ekonomike. Rusia shërben në stomakun e reflekseve nacionaliste. Në Bosnjë dhe Maqedoni, ne do të shohim atë që është më e fortë, shkruan “Die Zeit”./abcnews.al