“Na e mbushe telefonin plot, mos merr më se e hoqa kartën”, mësuesit i gjen belaja me gjyshërit gjatë mësimit online

schedule20:28 - 1 Prill, 2020

schedule 20:28 - 1 Prill, 2020

Ish-zëvendës ministrja e Arsimit Nora Malaj ishte pasditen e së martës në një lidhje direkte më “ABC News” për të folur mbylljen e shkollave në vend pa afat. Më pas zonja Malaj komunikoi me Abcnews.al për një mesazh audio që ia kishin dërguar direkt pas intervistës.

Bëhet fjalë për një mesazh audio në të cilin dëgjohet zëri i gjyshes ose nënës së një fëmije duke i kërkuar mësueses që të mos e marrë më në telefon dhe duke i kërkuar që t’i mësojë fëmijët kur të nisë shkolla.

Që pas mbylljes së shkollave, për nxënësit dhe studentët në vend ka nisur mësimi “online” që bëhet me anë të Google Classrooms. Mesa thotë Nora Malaj për Abcnews.al, bëhet fjalë për një fëmijë të klasës së gjashtë të shkollës “Dëshmorët e Lirisë” në kryeqytet.

Malaj thotë se ka marrë këtë mesazh në celular pas intervistës në ABC News:

“Ja një shembull se ku ndodhen mësuesit, në këto kohë kur tentojnë të komunikojnë me femijët, kl 6! Të ndoqa te Abc. Shkolla Dëshmoret e Lirisë. Llogaritë se cfarë bëhet të te tjerat.”

Në mesazhin audio të dërguar dëgjohet zëri i një gruaje që thotë:

“Përshëndetje mësuese! Të lutem shumë, mos merr më në këtë telefon se ma mbushe telefonin tërë mësimet e fëmijëve. Kur të vijë në shkollë mësoi. Mos merr më! Mos ma mbush më telefonin ose mos më detyro që të heq kartën!”

Abcnews.al nuk mund të vërtetojë autenticitetin a audio-klipit në fjalë, por po transmetojmë materialin që na është konfirmuar si i vërtetë nga Nora Malaj për të treguar se me çfarë vështirësishë po përballen mësuesit këto ditë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!