Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro thotë se Shqipëria ka nevojë për turizmin elitar.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Kumbaro u shpreh se turizmi elitar paguan më shumë, por edhe është më i ndërgjegjshëm në raport me mjedisin.
Ndër të tjera, Kumbaro deklaroi se po rriten standardet në investimet publike.
“Shqipëria, 3/4 e territorit i ka male, fusha, lumenj, ka potencial natyror, nuk kemi luksin ta mbajmë të izoluar nga turizmi. Ne kemi 21.5% të territorit zonë të mbrojtur natyrore, ku ndërhyrjet duhet të jenë shumë të kontrolluara. Shqipëria e 2.8 milionë banorëve, gjendet e populluar nga 10 milionë të tjerë, ka kosto për mirëmbajtjen e territorit, ndaj duam turizëm elitar, janë më të ndërgjegjshëm në raportin me mjedisin. Ofertat në agroturizëm, turizmin malor, turizmi tradicional i kulinarisë, është oferta që tërheq turistë përtej Tiranës, Durrësit. Vitin e kaluar, 41% e turistëve të huaj kishin preferuar veriun e Shqipërisë, për potencialin natyror.
Për momentin ne kemi turizëm që vjen si pasojë e kuriozitetit të madh si destinacion në zemër të Evropës. Ne duhet të përballemi dhe po përballemi me këtë fluks turistësh që vijnë prej imazhit të mirë të Shqipërisë. Nuk është rastësi që Bashkimi Evropian zgjedh Tiranën për mbajtjen e dy samiteve në një kohë të shkurtër. Na duhet turizmi elitar sepse është turizmi që paguan më shumë dhe kërkon më shumë”, theksoi ajo./abcnews.al