6 vjeçarja nga Londra, Florens Uidikomb është përballur me një kartolinë Krishtlindjesh ku ishte shkruar një mesazh i rëndësishëm në të cilin kërkohej ndihmë, pasi i detyronin të punonin. “Tesko” rrjeti i njohur britanik i supermarketeve ka ndërprerë marrëdhëniet me fabrikën kineze që prodhonte kartolinat dhe ka nisur hetimet.
“Jemi të burgosur të huaj në burgun e Kingpu, në Shangai, Kinë. Jemi të detyruar të punojmë kundër vullnetit tonë. Ju lutem na ndihmoni dhe lajmëroni një organizatë për të drejtat e njeriut”. Është kjo thirrja për ndihmë që përmbante një kartolinë Krishtlindjesh që shitej në supermarketet Tesko, dhe që u gjet nga një fëmijë në Londër e cila po shkruante kartolina urimi për shokët dhe shoqet e saj të klasës.
Historia është publikuar nga “Sandej Tajms”. Florens Uidikomb, 6 vjeç, gjeti mesazhin, i shkruajtur me një laps, brenda një kartoline të ilustruar me një maçok i cili kishte në kokë kapuçin e babagjyshit tëVitit të Ri. Kontaktoni me Piter Hamfri shkruhej më tej në kartolinën që vogëlushja i tregoi babait të saj. Duke kërkuar në Googe, babai i saj zbuloi se Piter Hamfri është një gazetar i cili mbahet në burgun kinez që shkruhet në kartolinë. Dhe ishte pikërisht ai që tregoi historinë.
Menjëherë “Tesko”, rrjeti britanik i supermarketeve, duke u shprehur i shokuar për ngjarjen, konfirmoi se kishte anuluar furnizimin me fabrikën kineze ku prodhoheshin kartolinat dhe ka nisur hetimet. Një zëdhënës i kompanisë sqaroi se fabrika kishte qenë objektiv i një kontrolli të pavarur në muajin nëntor, dhe nuk kishte rezultuar asgjë e parregullt. Ai shtoi se të ardhurat e fituara nga kartolinat e shitura deri tani do të jepeshin për bamirësi.
Ndërkohë Kina mohoi çdo akuzë për punë të detyruar. Ministria e Jashtme kineze theksoi se pasi kishte kontaktuar me burgun e Shangait rezultoi se asnjë i burgosur i huaj nuk është vënë në punë të detyruar.
Kjo nuk është hera e parë që mesazhe të tilla dalin në dritë në periudhën e Krishtlindjeve. Në vitin 2017-të një tekst në gjuhën kineze që vinte nga një burg në Kanton, u gjet në një kuti kartolinash Krishtlindjeje në supermarketet Sainsburi. Dhe në 2014-ën një mesazh që denonconte punën e detyruar në një burg tjetër kinez u gjet në një palë pantallona në një dyqan në Irlandën e Veriut./abcnews.al

