Policia e Durrësit ka gjobitur me 1 milion lekë, pronarin e një biznesi në Durrës. Ky biznes u gjobit pasi u konstatua se ushtronte aktivitet me muzikë “live” në kundërshtim me Aktin Normativ.
Po ashtu, njoftohet se dy persona të tjerë janë proceduar penalisht për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
B.T., 49 vjeç, banues në fshatin Shetaj dhe E.Sh., 27 vjeç, po banues në fshatin Shetaj u ndëshkuan pasi zaptuan hapësirën publike duke vendosur shezlonge në mënyrë të paligjshme.
Njoftimi i plotë:
Policia e Durrësit ka ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë, administratorin e një lokali pasi u konstatua se ushtronte aktivitet me muzikë live në kundërshtim me Aktin Normativ.
Gjithashtu ka proceduar penalisht edhe dy shtetas për veprën penale “Pushtimi i tokës”, të cilët janë evidentuar gjatë kontrolleve në plazhe për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që zaptojnë hapësirën publike duke vendosur shezlonge në mënyrë të paligjshme.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në Njësinë Administrative Ishëm, një lokal që ushtronte aktivitet me muzikë live, në kundërshtim me Aktin Normativ.
Për këtë subjekt me pronar shtetasin A.E, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë.
Policia e Durrësit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.
_
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që zaptojnë hapësirën publike duke vendosur shezlongë në mënyrë të paligjshme, proceduan penalisht shtetasit:
-B.T., 49 vjeç, banues në fshatin Shetaj, Njësia Administrative Ishëm.
-E.Sh., 27 vjeç, banues në fshatin Shetaj, Njësia Administrative Ishëm.
Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Shetaj, u konstatua se shtetasit e mësipërm kishin zënë me shezlongë, një sipërfaqe të plazhit publik, pa lejen e organeve përkatëse.
- Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme. /abcnews.al/