“Muzika e lartë përhap Covid-19”, Klosi në ABC: I qëndroj deklaratës, kam studiuar për elektronikë

schedule20:23 - 27 Nëntor, 2020

schedule 20:23 - 27 Nëntor, 2020

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi vijon t’i qëndrojë deklaratës që bëri disa muaj më parë, se valët e muzikës e transmetojnë më shumë koronavirusin. Në një intervistë me gazetaren Jonida Shehu në “Radari Informativ” në ABC, Klosi u shpreh se muzika e lartë në ambiente të mbyllura përbën rrezik për përhapjen e virusit.

Kjo sipas tij, pasi në kushtet e muzikës së lartë, njerëzit detyrohen të afrohen më shumë e të flasin me zë më të lartë, duke i çuar kështu më larg spërklat.

Po ashtu, ministri sqaroi se nuk është muzika ajo që vret, por kushtet që krijohen në kushtet e ambienteve të mbyllura, ku luhet muzikë me volum të lartë. Duke shtuar se qeshi me ata që bënë humor, Klosi theksoi se ka mbaruar për elektronikë, duke nënkuptuar se e di se për çfarë po flet.

“I qëndroj deklaratës për muzikën. Është shumë evidente, në vende ku ka muzikë të lartë nuk do duhet të rrihet. U kërkova ndjesë komunitetit të artistëve. Nuk të vret muzika, muzika, e lartë në ambiente të mbyllura, valët e muzikës, njerëzit flasin me zë të lartë, nuk duhet në vende të mbyllura me muzikë të lartë të qëndrojmë… ajo vala krijon..Kam mbaruar për elektronikë, e di si funksionon, qesha me ata që bënë humor.”

Prej dy javësh, ministri është tashmë negativ për koronavirusin, dhe duke folur për eksperiencën e tij ai u bëri thirrje qytetarëve që ta marrin me seriozitetin e duhur.

“Është një sëmundje e keqe, e pabesë. Isha në gradën e kujdesshme. Kam një thirrje për qytetarët, kur ndjehen të goditur të lidhen menjëherë me mjekët. Mua më ndoqi mjeku im. Pata edhe një kolpo diabeti. I pata të gjitha ato që dëgjojmë. Nuk mora oksigjen. Nga diabeti isha shumë i kujdesshëm. Thirrja kryesore është që të mos e nënvlerësojmë. Pas ditës së pestë janë  ditë shumë të vështira, dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!