Një projekt dedikuar historisë së Vlorës, që risjell në kujtesë vlera të çmuara si mikëpritja dhe humanizmi ndër shekuj i vlonjatëve, sapo ka nisur jetësimin në terren. Muzeu Hebraik Shqiptar është projekti më i ri që u zgjodh të ndërtohet në Vlorë, e cila ishte shtëpia e komunitetit më të madh hebre në Shqipëri.
Muzeu po ngrihet mbi lagjen e dikurshme të hebrenjve dhe ndodhet në sheshin kryesor të qytetit, afër tre muzeve të tjerë, Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Muzeut Historik dhe Muzeut Etnografik, ku Muzeu Hebraik Shqiptar do te jete pjese e kompleksit kulturor.
Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet sot në Vlorë, nisi inspektimet nga ky kantier, ku së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja u njoh me ecurinë e punimeve të nisura 1 muaj më parë.
“Vlen të meritojë më shumë prezantimi këtu sepse objekti nuk shtrihet vetëm në këtë mbrojtjen, e objektit ekzistues, i cili është objekti i mbrojtur, po është gjithëpërfshirja po themi në gjithë këtë ansambël urban, ku ndihet fryma e restaurimit të Lagjes së Hebrenjve, që quhej një herë e një kohë. Ndërtimi është jashtëzakonisht shumë kompleks. Do të ketë disa përforcime që do të bëhen gati. Dhe strukturat e xhamit do jenë unike në të gjithë Shqipërinë. Edhe në botë ka shumë pak struktura të tilla.” – u shpjegua gjatë prezantimit të punimeve.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama inkurajoi përshpejtimin e punimeve, teksa theksoi se ky Muze është një gur i munguar në mozaikun e Vlorës dhe në mozaikun shqiptar dhe se me vendosjen e linjes ajrore direkt me Izraelin do të kthehet në një destinacion të lakmuar turistik.
“Besoj që do e bëni më shpejt se dy vjet apo jo, domethënë besoj që është ndërtim që ka kompleksitet, por nuk është i pamundur që për 8- muaj të bëhet, nga ana ndërtimore. Unë mendoj që kompania për 8-9 muaj e mbyll këtë. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet nga të gjithë që ky është një gur i munguar në mozaikun e Vlorës po dhe në mozaikun shqiptar, historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët është një histori e jashtëzakonshme, është një trashëgimi historike,kulturore e jashtëzakonshme për të gjithë ne dhe flet jashtëzakonisht shumë për shqiptarët, qofshin myslimanë apo të krishterë dhe ndërkohë duhet pasur parasysh që me vendosjen e linjës direkte ajrore me Izaraelin që fillon, kërkesa nga Izraeli për të ardhur në Shqipëri turistë, është shumë e madhe. Kanë filluar ta njohin historinë tonë lidhur me ta dhe ky është një gur themeli mbi të cilin do të ndërtojmë shumë gjëra pozitive për turizmin, për ekonominë, për teknologjinë. Kështu që besoj që Vlora është me fat dhe duhet të jetë krenare që e ka këtë histori, kështu që këtu jemi në kohën e duhur. “ – u shpreh Kryeministri.
Paralelisht aty pranë po ndërtohet edhe Qendra Multifunksionale e Zhvillimit Rajonal, e cila do të kthehet në një vatër të teknologjisë dhe inovacionit me plot aktivitete sociale e kulturore për të rinj e të reja që kanë prirje digjitale. Kryeministri Rama u rikthye sërish, pas inspektimit në muajin nëntor të vitit të kaluar, në kantierin ku po punohet intensivisht për finalizimin e këtij projekti.
“Praktikisht ne kemi përfunduar fazën e parë që është gjithë ristrukturimi i godinës, carjet, fasadat dhe ndarjet e brendshme. Do hyjmë në fazën e dytë që është interiori, instalimet e brendshme ndërkohë që kemi në kontratë edhe pjesën e parkimit. Parkimi brenda vitit them se do jetë funksional.” – shpjegoi Drejtori i FSHZH Dritan Agolli.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi punën transformuese dhe theksoi se qendra do të jetë unike në pamjen e saj “Kjo ishte një kufomë në mes të sheshit. Kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Ky është si një shesh me godinë, nuk është më një tmerr. Kjo do jetë, një qendër spektakolare e teknologjisë, start-up, art, kulturë, zhvillim rajonal. Kjo është shëtitore vertikale që njerëzit mund të lëvizin lart e poshtë dhe u krijon dhe pika qëndrimi, kafe-bar. Nga çfarë kemi folur me disa të huaj, këto do vijnë do vendosen dhe të huaj, start-up të huaja këtu. Kjo godinë do ketë legjislacionin e veçantë, do ketë legjislacionin e techno-park. Kush hyn këtu brenda do ketë një status tjetër.” – u shpreh ai.