Muze me reliktet e luftës italo-greke/ Banorja në fshatin Peshtan: Kam gjetur armë të vjetra, helmeta, gaveta dhe lugë

schedule20:15 - 17 Shkurt, 2024

schedule 20:15 - 17 Shkurt, 2024

Historia dhe ajo çka ngeli pas nga lufta italo-greke që u zhvillua në malin e Golikut, risillet në vëmendje nëpërmjet paisjeve të luftës apo fotografive të fiksuara në fushë betejë.

Në fshatin Peshtan, Mirela Muka prej gati 10 vitesh koleksionon materiale të ndryshme që kanë mbetur nga ajo luftë.

Ato i ekspozon në një mini muze që ka ngritur pranë bujtinës se saj ku pret e përcjell turistë nga anë e kënd botës.

“Kemi 10 vjet që kur kemi filluar punë me turizmin dhe pastaj duke gjetur gjërat. Na erdhi ideja që t’i mbledhim dhe të bëjmë një muze modest”.

Aty gjen armë të kalibrit të ndryshëm, helmeta, gaveta e deri tek lugët e përdorura nga ushtarët.

Kurioziteti i vizitorëve, e veçanërisht të huajve për atë çfarë ka ndodhur në këto anë në vitet 1940 është i madh.

“Ka kuriozitet, sidomos një pjesë që kanë pasur të parët, dajat, xhaxhallarët, gjyshërit, ata janë më të interesuar”.

Nuk ka qenë aq e lehtë gjetja e këtyre objekteve.

Ato i ka zbuluar duke përshkuar në këmbë malin e Golikut ku koha ende nuk i ka zhdukur gjurmët e luftimeve.

“Në fshat, çfarë shikon syri, duke çuar njerëzit, si udhërrëfyes. Kështu e kemi filluar punën, si udhërrëfyes”.

Shumë prej vizitorëve që ajo ka mirëpritur në bujtinën e saj, kanë kërkuar të blejnë objekte, por Mira është e vendosur që të mos i shesë pasi për të mbartin vlera të veçanta.

Lugina e Vjosës që përshkohet nga lumi me të njëjtin emër vizitohet nga turistë të shumtë, në çdo ditë e stinë të vitit. Pasuritë natyrore, vlerat njerëzore të banorëve aty, traditat që ruhen ende janë arsye që shqiptarë e te huaj vizitojnë këtë mrekulli të jugut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!