Mustafaj: Presidenti mund të zgjidhet me konsensus, ankimi i Alibeajt për 11 dhjetorin i çuditshëm

schedule20:04 - 5 Prill, 2022

schedule 20:04 - 5 Prill, 2022

Ish-ministri Besnik Mustafaj nuk e përjashton si mundësi zgjedhjen e presidentit përmes konsensusit. Në studion e Radarit Informativ në Abc, Mustafaj nënvizoi deklaratën e kreut të grupit të PS Taulant Balla i cili tha se do ketë diskutim me të gjitha palët.

“Siç e ka shpreh edhe vetë Berisha i vetmi pas Kuvendit të 11 dhjetorit e vetmja strukturë legjitime është grupi parlamentar. Në momentin që Alibeaj thotë s’jam kontaktuar pra nuk është bërë asnjë negociatë pra s’ka çfarë ti thotë grupit parlamentar. Balla tha se do e flasim me të gjithë për të arritur një kandidat konsensual. Ajo traditë që u fillua me Mojsiun nuk u vazhdua më tej. Edhe Bamiri që ishte me 84 vota për tu zgjedhur u zgjodh me disa vota që erdhën nga PS. Pastaj ishte krejt zgjedhje e njëanshme e Nishanit. Po aq zgjedhje e njëanshme ishte edhe e Metës”. Balla, Gjiknuri dhe Spiropali u mandatuan nga grupi i tyre parlamentar për të drejtuar negociatat për procesin e zgjedhjes së presidentit. Megjithatë asnjë negociatë apo komunikim informal nuk ka ndodhur deri më tani me palën tjetër.

Apelimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës e cila njohu ndryshimet statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit, Mustafaj e quan të çuditshëm.

“Kjo jo vetëm nuk është serioze por e dëmshme. Është energji e madhe e opozitës që harxhohet brenda vetes. Ky është shërbimi i fundit që Alibeaj po përpiqet t’i bëjë qeverisë, duke e lënë opozitën në një xhirim të madh brenda vetes. Alibeaj është jo vetëm jurist por ka njohje shumë të mirë edhe të frymës së ligjit. Ankimi i Alibeajt i çuditshëm”.

Ai ka komentuar edhe takimet që ka zhvilluar kryetari i komanduar i PD Alibeaj në Kuvend dhe jo në ambientet e selisë blu.

“Ai e di që nuk ka zyrë si kryetar i PD në seli, por ka zyrë si nënkryetar i Kuvendit dhe i pret në atë zyrë”. “PD nuk përmbush asnjë kriter për t’u sanksionuar si organizatë. Qëndrimin e Kim duhet ta shohim si qëndrim të SHBA”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!