“Jo, nuk do të jetë Vjosa Presidente, nuk gabojmë dy herë”. Kështu është shprehur sot kreu i LDK, Isa Mustafa, i cili u pyet nëse Osmani që po mban aktualisht postin e kreut të shtetit të Kosovës, për shkak të dorëheqjes së Thaçit, e gëzon konsensusin për të vazhduar në këtë post.
Ai tha se nuk ka mbetur shumë dashuri, për të mbajtur kontakte me Vjosa Osmanin, por gjithashtu as urrejtje.
Mustafa në pyetjen se a e pranon LDK partnerin e saj, Ramush Haradinajn për President, ka thënë se ky post i takon partisë së tretë me radhë, pra PDK’së.
“Nuk e kemi diskutuar në mënyrë shprehimore çështjen e Presidentit në organet vendimmarrëse të LDK-së. Vlerësojmë se vendit dhe demokracisë i bën mirë një ndarje e lehtë e përgjegjësive më të larta shtetërore. Vetëvendosjes i takon pozita e Kryeparlamentarit/es sipas Kushtetutës, si parti që ka dalë me një deputet më shumë se LDK në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK ka Kryeministrin dhe pozita e Presidentit do t’i takonte partisë me radhë më të fuqishme në Kuvend. Por çdo gjë mund të ndryshojë me një marrëveshje të gjerë, e cila siguron pjesëmarrjen aktive të dy të tretave në votim në Parlament dhe jo vetëm vullnetin e koalicionit qeverisës apo të një pjese”, ka thënë Mustafa.