Krerët e Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk u takuan të hënën, megjithatë të dy palët vazhdojnë të theksojnë se po bëjnë të gjitha përpjekjet për krijimin e koalicionit të ri qeveritar. Bisedimet kanë ngecur tek çështja e Presidentit dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e bëri të qartë se nëse LDK i beson Vetëvendosjes kryeministrin, edhe Vetëvendosje duhet ti besojë LDK-së Presidentin.
Pas takimit të fundit i cili u mbajt të shtunën dhe nuk rezultoi me marrëveshje ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, ende nuk ka takim tjetër ndërmjet këtyre dy partive.
Kreu i LDK-së Isa Mustafa gjatë ditës ka mbledhur kryetarët e degëve të partisë për ti informuar me rrjedhën e bisedimeve.
Pas takimit tha se me VV-në nuk ka ngrirje të qëndrimeve sa i përket pozitave të caktuara.
“Edhe ndarja e pozitave të bëhet e tillë që asnjë palë të mos dalë super e fuqishme nga ky koalicion. Nëse ne kemi besim si LDK që të votojmë zotin Kurti si kryeministër presim që një besim të tillë ta ketë edhe partneri jonë ndaj LDK-së”, tha Mustafa.
Gjithashtu kryetari i LDK-së, Isa Mustafa u shpreh se në LDK vlerësohet mirëbesimi reciprok.
“Nuk është problem emri i LDK-së është besimi që duhet të ketë partneri jonë ndaj LDK-së për postin e presidentit. Në LDK vlerësojnë mirëbesimin dhe respektin reciprok”, tha Mustafa.
Mustafa nuk ka treguar se kur do të takohen me Kurtin, duke theksuar se për gjithçka merren vesh “ad hoc” pas përputhjes së axhendave të tyre./abcnews.al