Këtë herë në monologun e tij në “Provokacija”, Mustafa Nano tregoi se vajza e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari, e kishte refuzuar të ishte pjesë e emisionit. Diçka të tillë moderatori nuk e përjashtonte, por jo por ajo që i ka bërë përshtypje është përgjigja e Rudinës. “Thuaji Mustafa Nanos se ftesën e tij e refuzoj me shumë kënaqësi mund të vij në “Provokacija” veç nëse ai ka ndërmend të kërkojë falje publike për atë që ka shkruar mbi familjen Hajdari”.
Por kjo është gjëja e fundit që Rudina mund të presë nga Mustafa Nano edhe pse e ka bërë shumë herë në raste të tjera pikërisht sepse gabon. Por lidhur mbi Azem Hajdarin si personazh politik ai përsërit se nuk ka gabuar me vlerësimet e tij për të.
Mustafa Nano: “Teksa protesta e banorëve të Unazës së Re mori një formë të dhunshme, palët i skajuan qëndrimet e tyre ca më shumë. E tok me palët, u dëgjuan të lëshojnë thirrje ekstremiste edhe njerëz të tjerë, një pjesë e të cilëve bënin thirrje për rrëzimin me dhunë të qeverisë e të tjerët i bënin thirrje kësaj të fundit që t’u tregonte vendin protestuesve. Ndodh shpesh në Shqipëri ky polarizim i frikshëm. E në rrethana të tilla të gjithë janë të prirur t’i hedhin benzinë zjarrit. Njerëzit e urtë numërohen me gishtat e dorës.
Edhe këtë herë kështu ndodhi. Por mes pak mesazheve, që synonin t’i hidhnin ujë zjarrit, ishte njëri që binte në sy.
“Distancohuni nga dhuna, mos prekni asnjë qytetar dhe asnjë police, sepse jemi të gjithë vëllezër e motra”. Ky ishte mesazhi, që u raportua nga të gjitha portalet e gazetat. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Së pari, sepse ishte i shkruar nga një deputet, së dyti deputeti ishte i Partisë Demokratike, që u bë pjesë e protestës, dhe së treti deputeti ishte në të vërtetë deputete. Ishte Rudina Hajdari. Rudina Azem Hajdari.
Menjëherë më shkoi mendja për ta ftuar Rudinën në Provokacija. Mund të bëja një bisedë të mirë me të mbi dhunën. Jo vetëm mbi dhunën në ballafaqimin politik, por edhe mbi dhunën në përgjithësi, që ne shqiptarët, sipas meje, e kemi në gjak. Dhe dikush, në emër të Provokacijas, i bëri ftesën. Përgjigja e Rudinës ishte: “Thuaji Mustafa Nanos se ftesën e tij e refuzoj me shumë kënaqësi; mund të vij në Provokacija veç nëse ai ka ndërmend të kërkojë falje publike për atë që ka shkruar mbi familjen Hajdari”.
E vërteta është që refuzimin e saj nuk e përjashtoja. Do ishte interesante sikur të vinte, por e dija që edhe mund të mos vinte. Ndoshta edhe unë nuk do shkoja te dikush që do kishte shkruar në mënyrë kritike në adresë të tim eti. Ndoshta. Them “ndoshta”, pasi nuk jam njëqind përqind i sigurtë. Fakti që dikush do të kishte qenë kritik me tim atë mund t’më motivonte edhe më shumë për të shkuar e për të bërë një bisedë me kritikun. Gjithnjë, nëse im atë do të ishte personazh i rëndësishëm i jetës publike apo politike, dhe nëse unë do kisha argumenta për ta mbrojtur tim atë. Mirëpo, ky nuk është rasti im. Ky është rasti i Rudinës. Dua të them pra se Rudina është bija e një njeriu të famshëm, bija e një personazhi historik. Dhe kur dikush merret me një njeri të tillë, kjo nuk do të thotë se ky dikush merret me familjen e tij. Unë shpresoja që kjo gjë të ishte e qartë prej Rudinës. Çdo gjë që thuhet në adresë të Azem Hajdarit, qoftë kjo edhe gjë e hidhur, nuk ka të bëjë me familjen e tij.
Rudina në këtë rast fare natyrshëm mund të thoshte: Nuk shkoj te Mustafa Nano, pasi ai ka folur keq për tim atë, dhe kjo do të ishte një mënyrë e kuptueshme për të refuzuar pjesëmarrjen në Provokacija, madje edhe për ta refuzuar me kënaqësi, (me që ra fjala, më pëlqeu kjo frazë: refuzoj me kënaqësi), por ajo nuk ka asnjë të drejtë të thotë se Mustafa Nano ka folur keq për familjen Hajdari. Sepse nuk kam folur fare për familjen Hajdari. Kam folur për Azem Hajdarin, që është edhe babai i Rudinës.
Babai i Rudinës nuk ka qenë siç është babai im, njeri i pazëshëm, në punën e hallin e vet. Babai i Rudinës ka qenë një personazh, që me çfarë ka bërë, ka afektuar jetën e gjithësecilit në këtë vend. E në këtë kuptim, për të do flitet. E nuk është e thënë që për të të bëhen vetëm poezi e këngë e përmendore. Për të duhen pritur edhe vështrime e vlerësime kritike. Ashtu si për të gjithë ata personazhe që, ashtu si Hajdari, kanë dominuar jetën politike të vendit.
Kështu që, e dashur Rudina, mos prit nga unë falje publike. Dhe nuk është se jam nga ata që nuk kërkoj falje publike. Përkundrazi, e kam bërë këtë më shumë se njëherë. Dhe do ta bëj edhe në të ardhshmen, sepse jam i sigurtë që do të gaboj sërish. Sepse jam njeri që gaboj shpesh. Por lidhur me vlerësimet e mija mbi Azem Hajdarin, përsëris: mbi Azem Hajdarin si personazh politik, nuk më duket se kam gabuar. Dhe kur them këtë gjë, nuk kam asgjë me familjen Hajdari. As me Rudinën, e cila, t’ju them të drejtën, më është simpatike (simpatike në qëndrime, në sjellje, në ndonjë ide, siç është kjo kundër dhunës), më është aq simpatike sa mund t’i jepja edhe votën”./abcnews.al