Mustafa: Arrestimi i Haki Rugovës me prapavijë politike, po tentohet njollosja e qeverisë Hoti

schedule17:41 - 11 Tetor, 2020

schedule 17:41 - 11 Tetor, 2020

Pas lënies, nga Gjykata Themelore në Pejë, në arrest shtëpie për një muaj të Haki Rugovës, ka ardhur reagimi i kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Në reagimin e tij, Mustafa shprehet se arrestimi dhe mbajtja në arrest i Rugovës është bërë pa asnjë bazë ligjore.

“Në emër të LDK-së kërkoj që të zhvillohet sa më shpejt procesi gjyqësor, nëse ky proces zvarritet konsiderojmë se arrestimi i tij dhe denigrimi para opinionit është bërë me qëllime politike që ta dëmtojë atë personalisht dhe LDK-në e cila sot po mundohet të bëjë përpjekje me të mëdha për ta qeverisur vendin. Arrestimi nga policia dhe prokuroria është kryer ditën kur është diskutuar 100 ditëshin e qeverisë, sepse s’ka asnjë aferë korruptive. Me këtë është tentuar të njolloset pastërtia e kësaj qeverie”, shprehet ai.

Po ashtu, Mustafa ka bërë të ditur se LDK do t’i drejtohet organeve kompetente për të kërkuar se mbi cilat baza ligjore, policia dhe prokuroria kanë arrestuar kryetarin e Istogut.

Kreu i PDK shprehet po ashtu se rasti Rugova do të trajtohet nga Prokuroria Speciale.

“Ne kërkojmë si LDK barazi para ligjit dhe respektim të plotë të ligjit nga institucionet e drejtësisë. Ne nuk dëshirojmë të krahasohemi me shembuj të këqij dhe drejtësia të kryejë punën e saj mbi bazën e ligjit dhe jo mbi bazën e porosive. LDK kërkon që prokuroria dhe policia të qëndrojnë larg politikës. Nëse prokurori apo prokurorja e merr rolin e diktimit të zgjedhjeve në Istog, e nesër në Pejë apo diku tjetër, sepse është e lidhur me ndonjë parti politike, atëherë rrezikohet demokracia në vend dhe humb sensi i zgjedhjeve të lira e demokratike në vend. Jam njoftuar nga avokati i Rugovës që rasti i tij të trajtohet nga Prokuroria Speciale dhe kjo e fundit ta marrë këtë lëndë, sepse kemi besim të plotë se ajo do ta kryejë punën në bazë të ligjit.”

Rugova është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprat penale konflikt i interesit, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale falsifikim i dokumentit zyrtar. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!