Teuta mori tre pikë me mjaft vlera ndaj Kukësit, por nuk ka shumë kohë për të festuar. Durrsakët kanë në program një ndeshje tjetër të vështirë, këtë herë ndaj Partizanit në kryeqytet. Trajneri Bledi Shkëmbi buzëqesh, pasi për ndeshjen me të kuqtë do të jetë i gatshëm edhe mesfushori Albano Aleksi.
Ai mungoi ndaj Kukësit për shkak se ishte pezulluar prej kartonëve. Prania e tij në mesfushë i jep ekuilibër skuadrës durrsake. Një tjetër gëzim për korçarin është fakti që u rikthye të luante edhe Sherik Kallaku. Shkëmbi e pranoi se skuadra e tij, me të në fushë, nisi të qarkullonte topin dhe të mos kishte probleme me pasimet.
Gjithsesi ka edhe shqetësime, sikurse është lojtari që do të pozicionohet në krahun e djathtë të mbrojtjes. Blagoja Todorovski u ndëshkua me karton të kuq kundër Kukësit dhe do të mungojë ndaj Partizanit. Shpresohet që Fabio Beqja të jetë gati, ndryshe Shkëmbi duhet të gjejë një tjetër zgjidhje. /abcnews.al