Barcelona po synon të rikthejë një ish në skuadër. Në vitin 2015 u largua nga klubi katalanas dhe vijoi karrierën në ishull, aty ku është kthyer në një nga lojtarët më të mirë të Wolves. Adama Traore aktivizohet në rolin e sulmuesit të djathtë, teksa këtë sezon ka shënuar 5 gola.
I lindur në Katalunjë dhe me origjinë nga Mali, Traore u rrit te moshat e Barcelonës. Në nëntor të vitit 2013 erdhi debutimi me Barcelonën në një ndeshje të Kupës së Mbretit, ndërsa dy javë më pas debutoi në La Liga në fitoren 4-0 kundër Granada.
23-vjeçari është pjesë e Wolves prej gushtit të vitit 2018. Fiziku i fortë dhe driblimet janë dy ndër pikët e tij më të forta, teksa fazën e parë u rendit i dyti sa i përket driblimeve në Premier League. Traore kreu 42 të tilla dhe vetëm Zaha i Crystal Palace (58 driblime) realizoi më shumë.
Liverpool dhe Manchester City po e monitorojnë me kujdes afrikanin, por The Sun raporton se Barcelona është futur seriozisht në garë. Drejtuesit e klubit po përgatisin ofertën e duhur dhe janë gati të rikthejnë në shtëpi lojtarin e “Ujqërve”. /abcnews.al