Deputeti Myslym Murrizi ka folur për mediat pas përfundimit të takimit me kryeministrin Edi Rama këtë të martë.
Murrizi u shpreh se opozita parlamentare nuk do e votojë miratimin e reformës zgjedhore në Kuvend, nëse nuk pranohet kërkesa e saj për lista të hapura.
“Ne jemi këtu për të deklaruar se nuk votojmë asnjë lloj pazari që kërkohet tu shitet shqiptarëve si marrëveshje në kurriz të sovranitetit të votës së tyre. Ata kanë hall pushteti, unë bashkë me kolegët e mi i kërkuam që shqiptarët kërkojnë që me votën e tyre të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Nuk votojmë asnjë lloj buzëkuqi apo arnimi të kodit Zgjedhor nëse nuk preket neni 68 i kushtetutës. Nëse nuk hapen listat e kandidatëve për deputet dhe nëse nuk shkojmë drejt zbatimit pikë për pikë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR për Kodin Zgjedhor i cili thotë: Administratë zgjedhore dhe jo më militantë në kutinë e votimit që rezultati, të paktën 1 herë të vetme në këto 30 vjet të jetë i paparagjykuar nga të gjitha palët pjesëmarrëse.
Ramës i bëmë të qartë që mund ta vazhdojë sa të dojë pazarin me ata që janë jashtë por votat për të kushtëzuar atë që ne kërkojmë një të drejtë legjitime. Shumica e shqiptarëve sot, janë me opozitën parlamentare, ne nuk votojmë asgjë jashtë atyre që kemi kërkuar”.
I pyetur për qëndrimin e kryeministrit Rama në tryezë, Murrizi u shpreh:
“Zoti Rama nuk është se është pro listave sepse po të ishte, do kishte vepruar ndryshe, është njëlloj si Basha dhe Kryemadhi që i duan shqiptarët si votues dhe jo si zgjedhës. Presioni jonë në funksion të votës që kemi shpresoj dhe besoj tek uniteti i deputetëve të opozitës që do ta ulim me këmbë në tokë edhe zotin Rama edhe 74 deputetët që ka ai sot në parlament.
Ne do të kemi diskutime të tjera për këtë çështje. Nuk heqim dorë nga depolizitimi i administratës. Është një kërkesë permanente e OSBE –ODIHR prej 5 vjetësh. Është shumë e rëndësishme që palët pjesëmarrëse në zgjedhje të jenë të qeta dhe të qarta për atë rezultat që marrin”./abcnews.al