Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Chris Murphy, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen “në mënyrë agresive” në Ballkan. Në një intervistë për National Journal, Murphy ka kritikuar Kosovën për tensionet në veri të vendit, duke e mbajtur përgjegjëse ëpr situatën në veri të vendit.
“Ne duhet të angazhohemi në mënyrë agresive në Ballkan për të mbrojtur paqen, sepse tani nuk mund ta përballojmë shuarjen e zjarreve të vërteta në atë rajon”, ka thënë ai pas kthimit në Uashington nga një turne ballkanik.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit, shkruan Kosova Press.
Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.