Murinjo kritikon Mançester Junajtidin edhe pas fitores

schedule16:27 - 6 Mars, 2018

schedule 16:27 - 6 Mars, 2018

Mançester Junajtid arriti një fitore me përmbysje në Premier Ligën angleze, por trajneri i saj, Zhoze Murinjo nuk mbeti plotësisht i kënaqur. Portugezi pati kritika për futbollistët e tij.

Fundi ishte i lumtur dhe jo vetëm sepse u morën pikët.
Mançester Junajtid arriti një fitore domethënëse në Premier Ligë, nga ato që quhen prova karakteri, ndonëse trajneri i tij nuk mbeti plotësisht i kënaqur.

Rekordmenët e titujve u ndodhën në dizavantazh të dy golave në stadiumin “Selhërst Park” të Kristal Palasit, pastaj reaguan duke realizuar tri herë, por duke mos e bindur plotësisht Zhoze Murinjon.

Portugezi, një njeri gjithnjë tepër ambicioz, kërkon më shumë nga skuadra e tij.

Zhoze Murinjo: “Një përmbysje e madhe, por me gabime. Përmbysje fantastike, por edhe gabime. Goli i parë ishte një gabim i madh. Ne e nisëm sërish keq ndeshjen, duke mos bërë presion. Pësuam edhe golin e dytë që ishte për t’ua treguar fëmijëve nëpër akademi, sesi mund të gabojnë profesionistët e Premier Ligës. Gjithsesi, lojtarët kanë meritën e madhe që reaguan, që patën karakter të madh, që luajtën shmë mirë më pas. Na u desh edhe pak fat, kuptohet”.

Natyrisht, prova në Londër u kalua me sukses, dhe Junajtidi tregoi se është skuadër e bashkuar, pavarësisht dyshimeve.
Lojtarë si Lukaku apo Matiç e bindën trajnerin e tyre, ndonëse Murinjo nuk është i lumtur me një ekip që lufton thjesht për vend të dytë dhe për kualifikim për në Champions.

Ai kërkon më shumë se kaq, ndonëse e ka pranuar edhe vetë se skuadra e tij e sotme nuk mund të quhet ndër më cilësoret në botë.
Do të duhen shpenzime të tjera në verë, sipas Murinjos, që Mançester Junajtid t’i afrohet nivelit të Mançester Sitit, Realit, Barcelonës apo Bajernit.

Gjithsesi, tek rekordmenët e titujve ka një paradoks, pasi ata kanë disa nga lojtarët më të paguar në Angli, si Aleksis Sançez, David De Gea, Romelu Lukaku apo Pol Pogba./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!