“Murg” i studios së tij, Adrian Devolli 50 vite mes ngjyrave dhe penelave: Piktura për mua është oksigjen

schedule11:16 - 30 Prill, 2025

schedule 11:16 - 30 Prill, 2025

Piktura është jetë për Adrian Devollin. Çdo ditë e tij shkon kalon në studio mes penelave dhe ngjyrave duke pikturuar, trashëguar nga i ati, themelues i katedrës së skenografisë Hysen Devolli. Adrian Devolli është piktor, fillimisht ka përfunduar liceun artistik “Jordan Misja” dhe në vitin ’79 u diplomua në Akademinë e Arteve për pikturë. Adrian Devolli dallohet për stilin e tij modern, me të cilën ka lënë gjurmë në artet pamore shqiptare.

Gjithmonë në kërkim të së bukurës, ai është pjesëmarrës në ekspozitat kombëtare që nga viti ’80. Më pas nga viti ’94 ka marrë pjesë në ekspozita ndërkombëtare si në Itali, Austri dhe në disa vende të botës. Në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, Adrian Devolli rrëfen për jetën, profesionin dhe dashurinë  e madhe për pikturën dhe ngjyrat. Ai tregon se pasioni për pikturën ishte dhe një shtysë më tepër nga babai i tij i ndjerë Hysen Devolli.

“Më ka pëlqyer, nuk kam pasur edicione të tjera dhe kjo është falë familjes, falë babait tim, që ka qenë shumë i hapur dhe shumë tolerant. Për mua ka qenë një prej artistëve më të mirë, ka qenë skenografi i parë në Shqipëri dhe anëtar i enciklopedisë botërore të skenografisë”, tregon piktori.

Ai e quan veten “murgu” i studios së tij. Mug i një pune që pune që sipas tij nuk njeh çlodhje. Ai kujton fjalët e babait të tij që i thoshte se piktura do shumë punë, kërkon 50 piktura në ditë. Adrian Devolli përveç pikturës është marrë dhe me biznes, megjithatë pavarësisht impenjimeve të tjera kurrë nuk e la pas dore pasionin e tij, pikturën.

“Im atë me thoshte ‘kjo punë biri im do shumë punë, do 50 vizatime në ditë’, dhe unë aq bëja. Mua më pëlqen që të jem ‘murg’ i studios, unë kam thënë piktura është një lodhje pa çlodhje. Unë jam marrë dhe me biznes, nuk po them që ka jetuar vetëm me pikturë, të merresh me pikturë në Shqipëri është një aventurë e rrezikshme. Kam bërë punë të tmerrshme fizike, por në fund të ditës ti ia fusje një dush dhe ishe i çlodhur. Kurse kjo ka një problem që ti del nga studioja përsëri me mendje të ngritur se si do të vazhdojë, është një vuajtje e bukur dhe ti nuk çlodhesh”, shtoi Adrian Devolli./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!