Mungesë e rëndësishme për “Zikaltërit”, Inzaghi përballë “Los Colchoneros” pa “yllin” e prapavijës

schedule16:38 - 12 Shkurt, 2024

schedule 16:38 - 12 Shkurt, 2024

Prej dy sezonesh tashmë është kthyer në një pikë referimi, në qendrën e prapavijës, së “Zikaltërve” të Inter. “Veterani” italian i mbrojtjes, Francesco Acerbi, duket se ka rilindur, që prej transferimit të tij, në Milano, verën e vitit 2022, ku është kthyer në një lider të vërtetë e madje dha edhe një ndihmesë të madhe, në fitoren e fundit kundër “Verdhekuqve”, të Roma-s, mirëpo jo gjithçka ka shkuar “vaj” për 36-vjeçarin.

Sipas raportimeve më të fundit, të mediave italiane, “shtatlari” i qendrës së mbrojtjes ka pësuar një tërheqje muskulare, gjatë sfidës së fundit, në “Olimpico” dhe pritet të jetë një mungesë e madhe e teknikut, Simone Inzaghi, në dy sfidat e radhës, atë në kampionat italian të futbollit, Serie A, si dhe në sfidën e parë të fazës së 1/8-ve, në UEFA Champions League.

Testet mjekësore konfirmuan një tendosje të lehtë të muskujve në shputën e këmbës së djathtë, megjithatë gjendja e “veteranit” do të rivlerësohet gjatë ditëve të ardhshme, por siç theksuam edhe më lart mungesa në përballjen e së shtunës, ndaj Salernitana e të 20 shkurtit, ndaj Atletico Madrid, tashmë është konfirmuar.

Ndërkaq, kujtojmë se Inter është skuadra për t’u mundur në Itali, me “Zikaltërit”, që pas 24 javësh kampionat udhëheqin bindshëm me plot 7 pikë diferencë, nga ndjekësit më të afërt, “Bardhezinjtë” e Juventus e po marshojnë qetësisht drejt “yllit” të dytë në fanellë, ndërsa në Champions do të sfidojnë “Los Colchoneros” e Atletico Madrid, me skuadrën e teknikut, Diego Simeone, që ndër vite ka treguar se di t’ia dale në ligën e “më të fortëve”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!