“Paga ka, por nuk ka punonjës”/ Banka e Shqipërisë: U hapën 68 mijë vende të reja pune në dy vite

schedule14:21 - 4 Prill, 2024

schedule 14:21 - 4 Prill, 2024

SHQIPËRI- Gjatë vitit të kaluar përtej shtetit edhe privati është nxitur të rrisë pagat. Në raportin vjetor për vitin e kaluar Banka e Shqipërisë analizon se biznesi ka rritur pagat me 13%.Kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar.

Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bizneset evidentojnë “Mungesën e fuqisë punëtore” si një pengesë serioze dhe me rëndësi në rritje për aktivitetin e tyre.

Gjatë vitit 2023, mungesat  në gjetjen e stafit të kualifikuar kanë prekur të gjithë sektorët e vrojtuar. Për pasojë, pagat në sektorin privat kanë ndjekur një prirje rritëse prej fundit të vitit 2021, ku normat vjetore të rritjes kanë kërcyer nga 6.6% në vitin 2021, në 12.2% në vitin 2022, dhe 13% gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2023.

Rritja e pagave është me bazë të gjerë, si në terma sektorialë ashtu dhe në terma të shkallës së kualifikimit të fuqisë punëtore. Megjithatë pagat në shtet janë rritur më shumë se ato në sektorin privat.

Sipas të dhënave të Instat paga mesatare mujore bruto gjatë tremujorit të katërt 2023, rezultoi mbi  75 mijë  lekë, duke u rritur me 13.7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Ekonomia  shqiptare ka krijuar 68,000 vende të reja pune gjatë dy viteve të fundit, duke rritur punësimin me 6.8%.

Kjo tendencë e rritjes së pagave dhe e punësimit vlerësohet si një nxitje për rritjen ekonomike në vend , por gjithashtu  mund të ndikojë edhe në rritje të inflacionit.

Norma e papunësisë ka rezultuar 10,2% në fund të vitit të kaluar  duke prekur nivelin më të ulët të regjistruar gjatë 5 viteve të fundit. Turizmi në vend pritet të transformohet në një udhëheqës të punësimit.

Në kuadrin makroekonomik 2025-2027 theksohet se shërbimet do të kenë kontributin kryesor në rritjen e kërkesës për punë në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë..Ndërsa vlerësimet janë që ulja e papunësisë do të vijoj duke zbritur në 9.3% në vitin 2027.

Rritja e pagave në  privat: 

Viti  2021               6.6%

Viti 2022              12.2%

Viti 2023               13%/abcnews.al