Mungesa e mbikalimeve, banorët rrezikojnë kur kalojnë rrugën

schedule21:53 - 23 Shtator, 2018

schedule 21:53 - 23 Shtator, 2018

Mungesa e mbikalimeve në zonat e populluara vazhdon t’u shkaktojë probleme banorëve. Ata përdorin trafikndarëset për të kaluar nga njëra anë e rrugës në anën tjetër. Kjo situatë është kritike në rrugën Plepa-Shkozet.

“Tashmë është bërë e zakonshme që banorët, banesat apo bizneset e të cilëve ndodhen në dy anët e kësaj rruge të kalojnë trafikndarësen me ane të këtyre shkallëve të improvizuara”, raporton gazetarja e ABC News, Enkeleda Arapi.

Ky banor, banesa e të cilit ndodhet pranë unazës Plepa-Shkozet e kalon rrugën në këtë mënyrë disa herë në ditë. Shkalla shërben për të kapërcyer lehtësisht lartësinë trafikndarëses. Por, nga ana tjetër rrezikon jetën e përdoruesve të saj.

Mbikalimet e pamjaftueshme për këmbësorët përgjatë unazës ka shtuar numrin e të tilla kalesave. Në të gjithë autostraden gjen me dhjetëra të vendosura në të dy anët e trafikndarëses.

Banorët thonë se edhe pse mbeten të ekspozuar ndaj rrezikut, në mungesë të mbikalimeve, kjo është e vetmja mënyrë për të kaluar rrugën. Në të gjjthë gjatësinë rrugës, e urbanizuar në të dy anët e saj janë vendosur vetëm dy mbikalime.

Edhe ato të vendosura në vende të gabuara me më pak lëvizje. Unaza Plepa-Shkozet pjesë e By Pass-it të Durrësit, vazhdimisht është bërë objekt diskutimesh mes ekspertëve, banorëve dhe drejtuesve të autoritetit rrugor për shkak të rrezikshmërisë që paraqet.

Në të gjithë gjatësinë e saj vihet re mungesa e elementeve të sigurisë, pavarësisht se konsiderohet ndër arteriet kryesore të vendit, për të lidhur jugun me veriun. E vetmja masë e marrë, por pa e zgjidhur problemin është kufizimi i shpejtësisë në 40 kilometra në orë.

Por, në të shumtën e rasteve nuk respektohet nga drejtuesit e automjeteve, çka rrit rrezikun e aksidenteve, kryesisht për banorët dhe bizneset e pozicionuara në të dyja anët e rrugës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!