Mundje, Shqipëria fiton medalje ari

schedule09:40 - 28 Maj, 2018

schedule 09:40 - 28 Maj, 2018

Shqipëria fitoi një medalje të artë ndërkombëtare në mundje. Sportisti i ri, Paris Karepi, triumfoi në Turneun e Sasarit në Itali.

Nuk quhet kot sport i traditës.

Pas yjeve të para viteve 90-të, dhe pas kampionëve të mëvonshëm si Elis Guri apo Sahit Prizreni, një brez tjetër po nderon mundjen shqiptare.

Njëri prej tyre, ndër më të mirët, është Paris Karepi, që tregoi veten në suksesin e radhës, në Turneun Ndërkombëtar të Sasarit në Itali.

Mundësi kuqezi mori pjesë në kategorinë e peshës super të rëndë, deri në 120 kg, duke i fituar të katër ndeshjet e duke u shpallur kampion.

Në finale, ai mposhti kanadezin Bargat me rezultatin 6-2, duke përmbysur shpejt dizavantazhin e minutave të para.

Karepi 20-vjeçar garoi në mundjen e lirë, që është edhe specialiteti i tij, dhe mund të quhet pa frikë një realitet dhe një shpresë e madhe e këtij sporti.

Mundësi i Teutës së Durrësit është pjesëtar i ekipit kombëtar, është kampion i Ballkanit në fuqi për moshën deri 20 vjeç, ndërsa po përgatitet për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike të radhës, që do të zhvillohen në vitin 2020 në kryeqytetin e Japonisë, Tokio./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!