Shqipëria në historinë olimpike/ Mundësi Valiev merr medaljen e parë në Lojërat Olimpike

schedule19:56 - 10 Gusht, 2024

schedule 19:56 - 10 Gusht, 2024

FRANCË-  Dhjetë gushti është data, që do të hyjë në historinë e sportit shqiptar, pasi mundësi Chermen Valiev ia ka dalë t’i sjellë Shqipërisë medaljen e parë olimpike në histori.

25-vjeçari mundi 6-2 rivalin nga Taxhikistani, Viktor Rassadin, në stilin e lirë për peshën deri në 74 kilogramë, duke fituar medaljen e bronztë në finalen e vogël. Edhe pse medalje e bronztë, Valiev ka fituar atë që për dekada të tëra nuk kanë bërë shumë sportistë kuqezinj.

Tanimë vendi ynë e ka një medalje Olimpike, gjë që ndodhi pas pjesëmarrjes së dhjetë në Lojërat Olimpike. Valiev tanimë do shpërblehet nga shteti shqiptar për këtë arritje me 5 milionë lekë si edhe me gradën Kolonel.

Në duelin e 1/8, Valiev kaloi të premten 4-3 me përmbysje rivalin azer Turan Bayramov. Në çerekfinale, 25-vjeçari nuk ia doli të mbante avantazhin e fituar në raundin e dytë, duke u penalizuar nga dy ndëshkimet me karton të verdhë dhe në fund kundërshtari uzbek Jamalov Razambek fitoi 6-5.

Mundësi ynë ishte në garë ditën e shtunë pas ‘ripeshkimit’ për një medalje bronzi dhe arriti t’ia dalë të triumfojë si fillim me rusin Kadzimahamedau dhe më pas me Viktor Rassadin duke sjellë medaljen e parë historike për vendin tonë.

Shqipëria ishte një nga pesë vendet që nuk kishte fituar kurrë medalje Olimpike, së bashku me Bosnjën, Maltën, Monacon dhe Andorrën. Por, rrugëtimi i skuadrës kuqezi nuk përfundon me kaq, pasi ditën e diel Islam Dudaev do të përpiqet të fitojë edhe ai një medalje bronzi./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!