“Mund të shpëtojmë qindra jetë”, mjeku: Një valë e dytë, plotësisht e mundshme

schedule10:46 - 14 Korrik, 2020

schedule 10:46 - 14 Korrik, 2020

Eksperti i shëndetit Publik Alban Ylli në një videomesazh në rrjetin social “Facebook” ka paralajmëruar qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj COVID-19.

Ylli u shpreh se qarkullimi i ri i virusit në komunitet ka ardhur si pasojë e lehtësimit të masave.

Gjithashtu theksoi se gjatë periudhës së shtetrrethimit qytetarët dëshmuan disiplinë, ndërsa shtoi se tashmë jemi përballë një sfide të re.

Më tej eksperti i ISHP shton se një valë e dytë është plotësisht e mundshme duke theksuar se me zbatimin masave sidomos me mbajtjen maskave ruajtjen dhe respektimin e distancës sociale mund të shpëtohen me qindra jetë.

“Kudo në botë është duke u dëshmuar solidaritet. Njerëzit janë duke u përpjekur të sillen më ndryshe për të parandaluar infeksionin e virusit dhe për të shpëtuar jetët e atyre që janë më të dobët.

Do të na duhet gjatë verës, pse jo edhe më vonë të jemi shumë të kujdesshëm dhe të respektojmë masat e këshilluara. Kudo që është e mundur të përpiqemi të mbajmë maska, të përpiqemi të mbajmë distancë fizike, të bëjmë kujdes më higjienën personale sidomos me larjen e duarve dhe besoj se mund ta minimizojmë rrezikun në mungesë të shtetrrethimit dhe izolimit social që e praktikuam disa muaj.

Është shumë e vështirë ta praktikojmë për një periudhë shuam të gjatë kohore. Është e nevojshme që deri sa të zbulohet vaksina e re apo një mjekim efektiv për këtë virus ne duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm. Parashikimi i trajektores së ardhshme e pandemisë ngelet e vështirë.

Me rëndësi është të zbatojmë sa më shumë masat. Me zbatimin e tyre sidomos me mbajtjen maskave ruajtjen e distancës sociale ne mund t’ja dalim mbanë sërish të shpëtojmë me qindra jetë. Në asnjë rrethanë të mos harrojmë që pandemia vijon dhe një valë e dytë është plotësisht e mundshme”, tha ndër të tjera Ylli.

Po ashtu ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka shpërndarë në faqen e saj zyrtare në “Facebook” videomesazhin e komunikuar nga eksperti i Shëndetit Publik. Manastirliu i bën apel qytetarëve për ndërgjegjësim, ndërsa shprehet se është me rëndësi respektimi i masave për të ruajtur veten dhe familajrët.

Statusi:

Të mos e lejojmë që njerëzit më të dashur të përfundojnë në spital, ku çdokush është i rrezikuar. Të kufizojmë përhapjen e COVID19 së bashku🙏🏼
Respekto distancën
 Vendose maskën
Ruaj higjienën vetjake dhe kolektive

/abcnews.al/