Muçi “shkon” në tribunë/ Sulmuesi shqiptar lihet jashtë skuadrës nga trajneri i Beshiktash

schedule13:38 - 24 Shtator, 2024

schedule 13:38 - 24 Shtator, 2024

Kohët kur shënonte dhe ngrinte në këmbë gjithë stadiumin janë harruar. Karriera e Ernest Muçit ka marrë një tjetër rrjedhë me nisjen e sezonit të ri me Beshiktash në Turqi dhe kombëtaren e Shqipërisë.

Talenti kuqezi u transferua nga Legia Varshavës te klubi I Stambollit për 10 milion euro. Një shifër e rëndësishme, por që 23 vjeçari u duk se do ta justifikonte shpejt. Në fakt, impakti i tij ishte i rëndësishëm me 4 gola në 17 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës.

Por gjërat kanë ndryshuar në këtë edicion.

Me uljen në pankinën e Beshiktash të Xhovani Van Bronkhorst, Muçi kuptoi menjëherë se do të ishte zgjedhje e dytë. Minuta me pikatore për sulmuesin, që gjithsesi goditjen e parë të rëndë e mori nga Silvinjo. Tekniku I kombëtares kuqezi e la jashtë listës për dy ndeshjet e shtatorit, të parat në Ligën e Kombeve.

Por nuk mjaftoi kjo. Ernest Muçi humbi vendin në skuadër edhe te Besiktash, pasi u detyrua të ndjekë nga tribuna ndeshjen e fundit në kampionat, që ekipi I tij e fitoi 2-1 kundër Ejupspor.

Van Bronkhorst e shpjegoi këtë si zgjedhje të detyruar teknike, pasi ka në dispozicion 14 lojtarë të huaj dhe rregullorja e kampionatit turk lejon vetëm 12 të tillë në protokollin e ndeshjeve.

Por tekniku holandez la të kuptohet se edhe forma e futbollistit shqiptar nuk është e mirë.

Një situatë e vështirë kjo për Muçin, që tani duhet të presë janarin për të gjetur një tjetër skuadër, që do t’i lejonte të kthente edhe një herë karrierën në shinat e duhura.