Nuk është qendërsulmues, por ai e tejkalon rolin në fushë.
Ernest Muçi duket se përfundimisht ka arritur një maksimum në karrierë, dhe me formën që po tregon këtë sezon, nuk duhet të ketë asnjë dyshim.
Ylli kuqezi, që ka pasur probleme në kombëtare, shënoi dy gola të tjerë në Turqi, këtë herë në Kupën e këtij vendi, duke arritur në 9 rrjeta në edicion.
Po ashtu, ka edhe tre asiste.
Shpërthimi i fundit ishte në sfidën që Trabzonspor e luajti në stadiumin e rivalit Istanbulspor, pra në kryeqytet, dhe Muçi ishte vërtet përcaktues.
Pasi vendasit kaluan në epërsi, ai fillimisht barazoi për 1-1, shërbeu asistin për avantazhin 2-1, dhe realizoi kryeveprën me golin e tretë.
E meritoi që shoku I skuadrës t’ia fshinte këpucët.
Çfarë do të thonë 9 rrjeta nga shtatori deri në janar për shqiptarin?
Fakt është që lojtari ofensiv është vetëm 4 gola larg rekordit sezonal, me 13 të tilla, që e arriti në 2023-2024, kur ishte edhe lojtar I Legias në Poloni, edhe i Beshiktashit në Turqi.
Me asiste është më mirë se atëherë, kur shërbeu vetëm dy.
Në karrierë numëron edhe 12 gola në 2019-2020 kur u shpall kampion i Shqipërisë me Tiranën, dhe nuk harrohet paraqitja e tij në derbin me Partizanin.
Në rreth katër muaj e gjysmë që kanë mbetur, janë të gjitha mundësitë që Muçi të shënojë të paktën 14 gola, të vendosë rekordin e ri në karrierë, dhe të arrijë një nivel që cilësohet i lartë edhe për sulmuesit.
Në moshën 24-vjeçare, ai është tashmë një yll futbolli, dhe kombëtarja shqiptare është me fat që e ka, ndaj e kaluara e vështirë kuqezi do të harrohet shpejt.


