Vështirë se do ta kishte menduar një sezon kaq të vështirë. Ernest Muçi po kalon probleme të të gjitha llojeve në Turqi, dhe përveç vështirësisë për të qenë pjesë e formacionit, qoftë tek Beshiktashi, apo edhe në kombëtare, ja ku erdhi dëmtimi.
Lojtari ofensiv 23-vjeçar pësoi lëndim në sfidën që skuadra e tij e humbi në shtëpi në Superligën turke, 0-2 ndaj Bashaksehirsporit.
Për fat, këtë herë trajneri Solskjer e zgjodhi titullar, por fati e braktisi në momentin më të mirë.
Muçi doli nga loja në minutën e 27-të dhe klubi stambolli informoi për gjendjen e tij me anë të një komunikate, së cilës iu referuan gazetat kryesore sportive.
“Fanatik” dhe “Foto Maç” njoftojnë se shqiptari ka tërheqje, këputje dhe hemoragji të brendshme në muskulin e kofshës. Nuk dihet saktësisht sesa kohë do të duhet për riaftësimin e tij, por padyshim që tek Beshiktashi do të tregohen të kujdesshëm.
Lojtari që ka shënuar 4 gola e shërbyer 2 asistë në 24 ndeshje në Superligë, dhe ka në total 7 rrjeta e dy pasime për gol në të gjitha konkurrimet, nuk do t’i nënshtrohet operacionit, ndërsa riaftësimi, siç njofton Beshiktashi, ka nisur. Shpresa dhe shanset janë që Muçi të mos rrezikojë ndeshjen e rëndësishme të kombëtares shqiptare ndaj Serbisë në “Arenën Kombëtare” në 7 qershor, për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Deri në grumbullim ka ende 7 javë të paktën.