Muça “skanon” shanset e kombëtares: Ndeshja me Çekinë s’është për “jetë a vdekje”, kualifikimi vuloset me Moldavinë

schedule18:48 - 12 Tetor, 2023

schedule 18:48 - 12 Tetor, 2023

SHQIPËRI- Ish-sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë , Shkëlqim Muça, ka analizuar përballjen e sotme të ekipit tonë me Çekinë.

Ai u shpreh për ABC News se sfidën duhet ta shohim pa tension dhe  nuk duhet të përqendrojmë vëmendjen thjesht te rezultati.

Sipas Muçës, veç fitores edhe një barazim me Çekinë do të ishte rezultat shumë i mirë për ekipin tonë kombëtar.

“Unë e shoh nga një këndvështrim pozitiv, si një ndeshje futbolli, si një festë në stadium. Duhet të jemi krenarë për ekipin kombëtar se na ka dhënë ndeshje të mirë, dhe nuk do ta bazojmë atë përqendrimi tonë thjesht të rezultati e sotëm. Të gjithë kemi dëshirë të marrim një rezultat pozitiv, rezultat pozitiv quaj dhe një barazim. Duhet ta shikojmë me qetësi dhe pa tension. Duhet të mësohemi që Kombëtarja jonë të mbështetet gjithmonë dhe ta përkrahim gjithmonë, sepse kombëtarja na jep krenari. Kombëtarja është gjithmonë krenari. Ne kemi parë vetë nga pjesëmarrja në 2016 se çfarë imazhi i dha, dhe duhet ta shohim si një ndeshje futbolli dhe duhet ta përkrahim në të mirë dhe në të keq”, u shpreh ai.

Gjatë intervistës për “Special Report”, Muça tha se skema kryesore e Kombëtares duket që është formacioni sulmues, pasi kjo shkon pak me stilin dhe dëshirën që ka trajneri brazilian Sylvinho.

Ai shtoi se skema sulmuese duket që është e preferuara e tij dhe këtë “komoditet” e ka pasi grupi është cilësor.

“Me ardhjen e trajnerit të ri, ai ka filozofinë e tij dhe duhet është një trajner që i pëlqen loja sulmuese. Këtë filozofi e shohim se e ka futur këtu. Ka dhe shumë talente dhe cilësi brenda dhe mundohet të bëjë këtë lloj loje. Ende nuk ka bërë një ekip shumë të konsoliduar, sepse ka pesë ndeshje dhe besoj se ky ekip na jep shpresë për t’u bërë një ekip akoma më i mirë me kalimin e muajve. Duhet dhënë edhe kohë, por megjithatë shenjat janë të mira, ka cilësi brenda dhe mund të përmirësohet akoma më shumë “, tha ai.

Pavarësisht se entuziazmi është i madh dhe të gjithë duan fitoren me Çekinë, Muça thotë se Kombëtarja kualifikimin për në Euro 2024 pritet ta “hipotekojë” në sfidën tjetër, atë me Moldavinë.

“Në futboll asnjëherë nuk dalin llogaritë. Ne në çdo ndeshje duhet të japim maksimumin, pastaj rezultati ka brenda fatin dhe ka shumë gjëra. Pozitive është se ne jemi në një situatë në favor me skuadrat e tjera, edhe për pozicionin, pikët dhe për ndeshjet që kemi në të ardhmen. Ndeshja me Çekinë nuk është për jetë a vdekje, është një ndeshje që duhet luajtur dhe duhet të marrë maksimumin. Kemi edhe dy sfida të tjera, me Moldavinë, unë mendoj se ajo është ndeshja përcaktuese. Unë them se ajo do jetë ndeshja kryesore dhe pika kulminante e skuadrës tonë, ku ne do vulosin pjesëmarrjen në evropian dhe unë kam shumë besim se atje do ta kemi”, tha Muça./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!