Muç Nano: Shqiptarët racistë, gjëja me e çuditshme e botës!

schedule21:58 - 10 Korrik, 2020

schedule 21:58 - 10 Korrik, 2020

Gazetari Mustafa Nano në monologun e kësaj të premteje i ka kushtuar vëmendje deklaratës së analistit Shpëtim Nazarko në Byro Politike të gazetares Juli Xhokaxhi i cili teksa fliste mbi zgjedhjet e ardhshme, sipas Nanos, përdori tone raciste.

Nano thotë se Nazarkon e ka mik por se të vërtetat duhen thënë edhe pse mund të mos priten mirë nga vetë ai.

“Nazarko, e djallose! Ajo që the, është e pafalshme. Është sipër pragut të gjërave të lejueshme në ligjërimin e debatin publik”, shprehet Nano.

LEXO edhe: “Formula” e Nazarkos për zgjedhjet: Merrni 3000 b…zinj të numërojnë votat

Për Nanon, “Racizmi do të ishte po njësoj i dëmshëm, i dënueshëm, i fajshëm, çedukativ dhe poshtërues. Një racizëm i shprehur kështu të bën të jetosh me idenë se jemi ende në shekullin xix, apo se jetojmë në një vend të shkretë të shkëputur krejt prej qytetërimit”.

Monologu o Plotë:

Para dy netësh, Shpëtim Nazarko i ftuar në programin e Juli Xhokaxhiut në ABC Neës, kaloi kufirin. Mbajti një qëndrim racist. Ishte një racizëm brutal, dhe prandaj nuk ka as alibi.

Konkretisht, teksa po fliste mbi zgjedhjet e ardhshme, në ndjekje të përroit të tij të ndërgjegjes, në fund tha: “Doni të bëni zgjedhje ju? Është fare e kollajtë. Merrni tre mijë bythëzinj, jepuni nga 10 dollarë secilit, jepuni pas kësaj detyrën e numërimit të votave dhe kaq është.”

Tani, Shpëtim Nazarko është nga njerëzit që vinë shpesh në këtë studio. Ai është edhe miku im. Por si ka thënë Aristoteli? Platonin e kam mik, por të vërtetën e kam mik më të shtrenjtë. Dhe prandaj unë nuk po nguroj të them atë që mendoj.

“Nazarko, e djallose! Ajo që the, është e pafalshme. Është sipër pragut të gjërave të lejueshme në ligjërimin e debatin publik.

Kjo kritikë e imja Nazarkos mund t’i bjerë si rrufe në qiell të kthjellët. E mund të mos ma presë mirë. Mund të ma marrë si thikë pas shpine.

Ashtu si ma mori Fred Cako, i cili më mori në telefon e më tha: “Nuk e prisja këtë goditje pas shpine nga ty, Muç”. I referohej monologut tim të herës së shkuar, ku unë denoncoja absurdin e tij konspirativ.

Jo Fred Cako, nuk është thikë pas shpine është thjesht një mospajtim që unë e shpreh në mënyrë publike për gjërat që t’i i bën e i thua në publik.

Edhe kjo me Nazarkon është një kritikë publike për një gjë që ai e tha në publik. E që e përsëris: Nuk mund të thuhet. Nuk duhet të thuhet.

Sikur kjo të kishte ndodhur në një vend normal, gjërat pas kësaj do rridhnin ndryshe. Një ilustrim i freskët.

Para ca ditësh në Britaninë e Madhe, një profesor universiteti me emrin David Starkey, historian shumë i rëndësishëm, tha në një intervistë televizive se “skllavëria nuk ka qenë gjenocid.

Po të kishte qenë gjenocid, atëherë nuk do kishim më, dreqi ta hajë, të zinj vërdallë, në Afrikë e kudo.” E dini se çfarë ndodhi? Ai vetë doli e kërkoi ndjesë. Ndjesë të plotë, pa “por” e pa “nëqoftëse”, dhe pa kërkuar asnjë alibi. E megjithatë, kjo nuk mjaftoi.

Dolën shtëpitë botuese që kishin bashkëpunuar me të, e thanë se bashkëpunimi prishej. Dolën universitetet ku ai punonte si i brendshëm apo i jashtëm e thanë se prof. Davidi është i pushuar. Dolën kolegë e “i futën thika pas shpine”. E kritikuan. Iu quajt gafa e jetës.

Ndërsa këtu jam i sigurt se askush nuk i ka tërhequr vëmendjen Nazarkos.

Portalet e raportuan siç raportojnë çdo gjë. E gjitha është marrë si një gjë gazmore.

Nuk po bëj thirrje që të linçojmë Nazarkon. Jo për ndonjë gjë, por në debatin publik shqiptar çfarë nuk ndodh.

Përveç sharjeve, shpifjeve, fyerjeve e gjesteve të bullizmit që janë si bukë me djath, nëpër televizione zbrazen të gjitha vreret e paragjykimet e mundshme jo vetëm raciste (në Shqipëri ka shumë racizëm; racizmin e kemi në gjak dhe kjo është shenja më e qartë e prapambetjes sonë), zbrazen e shfryhen jo vetëm paragjykime raciste pra, por edhe homofobike, mizogjinike, shoviniste, shprehen pulsione të egra, kërkohet vetëgjyqësi.

Çfarë nuk ndodh! Kjo gafë e Nazarkos duket asgjë. Ose një gafë si gjithë të tjerat.

Por le ta mbyllim me këtë. Edhe sikur ne të mos kishin fare kontakt me botën e njerëzve me ngjyrë, racizmi nuk do legjitimohej gjithsesi.

Racizmi do të ishte po njësoj i dëmshëm, i dënueshëm, i fajshëm, çedukativ dhe poshtërues. Një racizëm i shprehur kështu të bën të jetosh me idenë se jemi ende në shekullin xix, apo se jetojmë në një vend të shkretë të shkëputur krejt prej qytetërimit.

Lëri këtë, por ne kemi njerëzit tanë me ngjyrë. Kemi pakicat rome e egjiptiane. Ato, për fatin e mirë të racistëve shqiptarë, nuk e bëjnë për të madhe racizmin e shoqërisë, por ata janë viktima të këtij racizimi.

Janë viktima nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër. Pastaj, kemi me qindra shqiptarë që kanë martesa me njerëz të racave të tjera, edhe me njerëz me ngjyrë.

Unë njoh vetë një vajzë. Jeton në SHBA. Është e martuar me një djalë me ngjyrë. Një djalë për kokë të djalit. Ka tre fëmijë. Tre fëmijë fantastikë. Një familje fantastike.

Familja e saj në Tiranë nuk pranoi ta takonte të bijën, lëre pjesën tjetër të familjes së saj, për më shumë se 10 vjet me radhë.

Nuk duronin dot që nipërit e mbesat e tyre të ishin me ngjyrë. Dhe bënë hasha vajzën e tyre. Unë lutem që ajo vajzë që e ndjek jetën politike e mediatike të Tiranës të mos e ketë pasur televizorin te ABC News atë natë. Sot po e ngre zërin edhe për të./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!