Muç Nano: Çfarë kënaqësie?! Tashmë kemi edhe “shokë” në çudirat tona

schedule21:43 - 23 Qershor, 2020

schedule 21:43 - 23 Qershor, 2020

Në monologun e sotëm për emisionin “Provokacija” gazetari Mustafa Nano shprehet i kënaqur për rrethanat e  njëjta me ato shqiptare, të zgjedhjeve në Serbi, por edhe për ngjarje të tjera të ngjashme në kohë të ndryshme.

Gazetari është i kënaqur që ka edhe vende të tjera që prodhojnë gjëra të ngjashme ose të afërta me ato që ndodhin në Shqipëri, të tilla janë edhe zgjedhjet në Serbi, ku u shënuan parregullsi.

Por Nano është kënaqur më tepër kur ka mësuar lajmin se opozita serbe bojkotoi zgjedhjet, pasi për të, nuk jemi më të vetmit që kemi bërë një turp, tashmë kemi edhe “shok” të tjerë.v

“Çfarë kënaqësie kam ndjerë! Dhe mos ma merrni për shaka. Kam ndjerë një kënaqësi të jashtëzakonshme. Me ta marrë vesh këtë lajm, kam bërë një gjumë të thellë. Kam fjetur për shtatë palë qejfe. Kisha kohë që nuk kisha bërë një gjumë të tillë”, u shpreh Nano.

Monologu i plotë:

Unë ndihem keq kur shqiptarët e Shqipëria veçohen për keq. Ndihem keq kur lexoj nëpër gazetat e Europës apo të Amerikës lajme me shqiptarë që lënë kokrrën e namit me krime nga më të ndryshmet.

Dhe nuk e keni idenë se sa gëzohem kur lexoj se edhe pjesëtarë të kombësive të tjera bëjnë të njëjtat të pabëra. Nuk e keni idenë sesa gëzohem kur marr vesh se edhe në vende të tjera ndodhin çudira.

Por ka rrethana sidoqoftë kur ne duket se jemi të pakonkurueshëm dhe në raste të tilla nuk ka ngushëllim. Fjala vjen, ne jemi vendi me numrin më të madh të azilantëve në Europë.

Jemi vendi ballkanik me numrin më të madh të azilantëve. Ne jemi vendi ku një shumicë e madhe njerëzish, një shumicë më e madhe se në vende të tjera, duan të marrin arratinë një sahat e më parë.

Ne jemi vendi, ku politikanët merren për dore dhe detyrohen që të ulen në negociata. Ne jemi vendi ku politikanët detyrohen me dhunë e me kanosje që të shkojnë në parlament e të votojnë reformën në drejtësi.

Ne jemi vendi që kemi probleme të vazhdueshme me zgjedhjet. Ne jemi vendi ku gazetarë e intelektualë publikë (dhe nuk janë pak) dalin në publik e sugjerojnë luftën civile si zgjidhje për të rrëzuar kundërshtarin nga pushteti. etj, etj.

Dhe përsëris, gëzohem si fëmijë kur lexoj apo dëgjoj se ka edhe vende të tjera, ku ndodhin gjëra të ngjashme, të afërta. Jo si te ne, kuptohet, por ndodhin. Sidomos në ballkan. Ja, në Serbi fjala vjen.

Në Serbi pati zgjedhje të dielën. Dhe pati disa lajme të gëzueshme.

Kisha kohë pa marrë lajme kaq të gëzueshme. Së pari, pati parregullsi në zgjedhje. Në Pozarevac votuesit i jepej një fletë votimi e plotësuar, dhe ai futej, merrte fletën e votimit nga komisioni, futej në dhomën e votimit, bënte sikur plotësonte fletën e votimit të marrë nga komisioni, dilte nga dhoma, dhe hidhte në kuti fletën që ia kishin dhënë jashtë qendrës së votimit.

Dhe jashtë u dorëzonte gangove fletën e paplotësuar që kishte marrë nga komisioni, e cila plotësohej dhe i jepej një tjetri, e kështu me radhë. Kjo taktikë vjedhjeje quhet treni bullgar. Treni bullgar. Bullgar.

Sa i lumtur jam që e kanë pagëzuar treni bullgar. Se do ishte turp ta quanin treni shqiptar. Do ishte shumë turp. Jo për gjë, por do ishte treni i vetëm shqiptar. Pasi ne nuk kemi trena të tjerë. 

U gëzova shumë edhe që në një fshat të Serbisë jugore u vodh gjatë natës kutia e votimit. Mirëpo gëzimi mund të më vinte edhe më i madh, dreqi ta hajë. Kjo ndodhi në pak fshatra. Unë do doja të ndodhte në shumë fshatra.

Asëll-asëll unë do doja të ndodhte nëpër qytete. Më mirë fare do ishte të ndodhte në Beograd. Mirëpo në Beograd nuk ndodhën gjëra të tilla.

Gëzimi më i madh i imi lidhet me faktin që opozita serbe bojkotoi zgjedhjet.

Edhe lajmi i shpikjes së vaksinës kundër covid-19 nuk do më gëzonte kaq shumë. Nuk e duroja dot faktin që ne shqiptarët ishim të vetmit që kishim bërë bojkotimin e zgjedhjeve. Tani nuk jemi më të vetëm. Jemi të parët që e hapëm këtë lojë, por të paktën nuk jemi të vetmit.

Nuk ka më keq sesa të jesh i vetmi që bën një turp. Edhe të jesh i pari turp është, sepse mbetesh në histori si i pari, si ai që hapi modën, por të jesh i vetëm është më e keqja që mund të të ndodhë. Falë serbëve nuk jemi më të vetëm. Madje, serbët kanë shkuar cilësisht edhe një hap më tutje.

Ata kanë bojkotuar zgjedhjet parlamentare. Ne bojkotuam ato lokale. Çfarë kënaqësie kam ndjerë! Dhe mos ma merrni për shaka.

Kam ndjerë një kënaqësi të jashtëzakonshme. Me ta marrë vesh këtë lajm, kam bërë një gjumë të thellë. Kam fjetur për shtatë palë qejfe. Kisha kohë që nuk kisha bërë një gjumë të tillë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!