MSH replikon sërish: E-maili i publikuar nga PD pas incidentit nga një punonjëse, e ndëshkuam

schedule12:26 - 10 Maj, 2020

schedule 12:26 - 10 Maj, 2020

Ministria e Shëndetësisë ka replikuar sërish pas akuzave të ish-deputetit të Partisë Demokratike Bardh Spahia për zjarrin në godinën e saj, në datë 15 prill.

Ajo thotë se email-i i publikuar nga PD, i referohet një incidenti të ndodhur para 26 ditëve, të shkaktuar nga një punonjëse e cila më pas është ndëshkuar.

Ministria hedh poshtë akuzat e PD, duke theksuar se është e hapur për çdo hetim nga organet e drejtësisë.

“Në përgjigje të akuzave të Partisë Demokratike, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron se nuk ka rënë zjarr në institucion. “Zbulimi” i bërë sot nga PD i referohet një emaili “tërheqje vëmendje” të para 26 ditëve, nga përgjegjësja për sigurinë në ministri, e cila i është drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse, ndaj të cilës më pas është marrë masë administrative.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hedh poshtë aludimet dhe shpifjet e PD, që kërkon të manipulojë opinionin me histori djegie letrash në korridore, kur e di i madh e i vogël se çdo dokument zyrtar ruhet në Protokollin e Ministrisë dhe të çdo institucioni.

Duke bërë publik këtë email, i cili dërgohet rëndom nëpër institucione për t’u tërhequr vëmendjen punonjësve, PD ka demonstruar edhe një herë se protokollet e sigurisë dhe masat disiplinore në MSHMS, funksionojnë më së miri.

Sikundër e kemi deklaruar që në krye të herës, Ministria e Shëndetësisë është e hapur për çdo hetim nga organet e drejtësisë. Njëkohësisht, i bëjmë në mënyrë të përsëritur thirrje PD që të ndalë fushatën e shpifjeve dhe të presë me durim fjalën e drejtësisë!”, thote ministria./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!