Albion Ademi e nisi shumë mirë sezonin e ri me Mariehamn në Finlandë. 13 gola dhe 3 asiste në 21 ndeshje janë shifra fantastike, por sulmuesi i Shqipërisë U21 (u grumbullua nga ish-trajneri Panucci me kombëtaren e madhe dy vite më parë) u ndal në momentin më të mirë.
21-vjeçari nuk i shpëtoi dot infektimit me Covid-19, por ia ka dalë të shërohet plotësisht. “Sërish në stërvitje pasi fitova betejën me koronavirusin“, shkruajti 21-vjeçari në “Instagram”, teksa sot e nisi si titullar takimin shtëpiak ndaj HJK (u zëvendësua në minutën e 67-të).
Një ndeshje për t’u harruar për sulmuesin shqiptar dhe shokët e tij të skuadrës, të cilët u mposhtën 0-5 nga ekipi kryeqytetas. Ademi ka nevojë për disa ditë stërvitje për t’u kthyer në formën më të mirë dhe për të vazhduar me gola, me shpresën që do të vijë edhe një ftesë nga Edi Reja. /abcnews.al