Të gjithë po e presin me emocione finalen e Euro 2020, që do të luhet të dielën në mbrëmje në mitikun “Wembley”. Italia e Roberto Mancinit do të ketë përballë Anglinë e Gareth Southgate, duel të cilin e analizon Jose Mourinho në alkSPORT.
“Mesfusha është forca e Italisë. Verratti, Barella dhe Jorginho janë titullarë, por mendoj se edhe lojtarë si Locatelli dhe Cristante mund të jenë vendimtarë. Locatellin e pamë ndaj Zvicrës, u tregua i jashtëzakonshëm.
Italia i ka mesfushorët më të mirë se sulmuesit, prej tyre ka kontrolluar ndeshjet deri tani“, deklaron trajneri i Romës, i cili analizon edhe skuadrën tjetër finaliste të Euro 2020, Anglinë vendase.
“Unë mendoj se Anglia ka nevojë për një ndeshje madhështore nga ana e Rice dhe Phillips, pasi aty vendoset gjithçka. Ndaj Spanjës pashë një Itali në vështirësi për shkak të mungesës së një qendërsulmuesi.
Jam i bindur që Southgate po e shikon shumë herë ndeshjen Itali-Spanjë. Spanja luajti me romb në mesfushë, Olmo u aktivizua i avancuar dhe ishte e vështirë për Italinë. Imagjinoj Kane të luajë ashtu, duke iu larguar disi dy qendërmbrojtësve italianë.
Të kesh një pikë referimi është pikërisht ajo që duan Bonucci dhe Chiellini, dhe unë jam i bindur që Kane është më i miri nga të gjithë për të bërë ato lëvizje, larg mbrojtësve, për të favorizuar më pas futjet e Sterling, Mount ose të tjerëve“, përfundon Mourinho. /abcnews.al