Motra e Kim Jong Un paralajmëron SHBA dhe Korenë e Jugut: Çdo përpjekje për të rrëzuar raketat tona nënkupton “luftë”

schedule12:18 - 7 Mars, 2023

schedule 12:18 - 7 Mars, 2023

Ministria e Punëve të Jashme të Koresë së Veriut i ka bërë thirrje OKB-së të ndihmojë në përfundimin e menjëhershëm të  stërvitjeve të përbashkëta ushtarake  midis SHBA-së dhe Koresë së Jugut, duke pretenduar se  po rrisin tensionet në gadishullin korean deri në atë masë sa ekziston rreziku që ato të bëhen të pakontrollueshme.

Koreja e Veriut paralajmëroi sot se do të konsideronte çdo përpjekje për të rrëzuar raketat e saj, të cilat po teston mbi Oqeanin Paqësor, si një “shpallje të qartë lufte” gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së me Korenë e Jugut.

“Në rast se ka një përgjigje ushtarake, gjatë testimit të armëve tona  strategjike, do të konsiderohet një deklaratë e qartë lufte kundër DPRK-së,” tha Kim Yo Jong, motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

“Oqeani Paqësor nuk është nën sovranitetin e SHBA-së dhe Japonisë,” theksoi ajo, ndërsa SHBA dhe Koreja e Jugut  po përgatiten të mbajnë stërvitjet e tyre më të mëdha të përbashkëta ushtarake që nga viti 2018. Koreja e Veriut “është gjithmonë e gatshme të marrë masa të përshtatshme, të menjëhershme dhe dërrmuese. në çdo kohë,” nënvizoi motra e Kim.

Përveç stërvitjeve Ulchi Freedom Shield, të cilat forcat e armatosura të SHBA-së dhe Koresë së Jugut do t’i zhvillojnë nga 13 marsi për të paktën 10 ditë, Uashingtoni dhe Seuli zhvilluan këtë javë stërvitje të përbashkëta të forcave ajrore që përfshin një bombardues amerikan B-52 të aftë për të mbajtur një kokë bërthamore.

SHBA dhe Koreja e Jugut theksojnë se këto janë stërvitje të mbrojtjes, por Pheniani i sheh ato si një provë për një pushtim të territorit të tij ose një përpjekje për të përmbysur regjimin e tij.

Përveç kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme të Koresë së Veriut akuzoi sot SHBA-në për përshkallëzimin e “qëllimshëm” të tensionit në rajon. “Stërvitjet e fundit të përbashkëta ajrore tregojnë qartë se plani për të përdorur armë bërthamore kundër Koresë së Veriut po vazhdon me ritmin e një lufte të vërtetë,” thuhet në deklaratë.

Marrëdhëniet midis Phenianit dhe Seulit janë në pikën më të ulët në vite. Në vitin 2022, Koreja e Veriut deklaroi statusin e saj si një fuqi bërthamore dhe kreu një sërë testesh të raketave balistike në kundërshtim me rezolutat e OKB-së.

Nga ana e tyre, Seuli dhe Uashingtoni vendosën të rrisin stërvitjet e përbashkëta ushtarake.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!