Një valë e gjatë e të nxehtit pasojë e masave ajrore me origjinë nga Afrika parashikohet të përfshijë Shqipërinë. Vlerat e termometrit pritet ti kalojnë 40 gradë celsius. Këtë javë sipas shërbimit “Meteoalb” kulmi pritet të arrijë të mërkurën, të enjten dhe të premten ndërsa qytetet ku do të ndjehet më tepër janë Berati, Elbasani, Tirana dhe Shkodra.
“Temperatura deri 40 gradë në pjesën më të madhe të territorit dhe zonat malore. Kopliku do të shënojë mbi 40 grade, Kukësi, Hasi, Peshkopia me temperatura të larta, duke përjashtuar Korçën që do shënojë 36 gradë, të gjithë qytetet e tjera me vlera 40 dhe mbi 40. Problematikë do të jetë Qarku i Beratit, Elbasani, Tirana dhe Shkodra. Temperaturat janë të matura në hije, në diell ne i ndjejmë 5 gradë më shumë. Nëse flasim për 40 gradë në Tiranë ne e ndjejmë si 44 apo 45 gradë.”, tha sinoptikania Lajda Porja.
Javën e ardhshme sipas meteorologëve vlerat më të larta termometri parashikohet ti regjistrojë në jug të vendit.
“I nxehti do të zgjasë më shumë e deri të mërkurën tjetër 8 ditë shumë të nxehta rritje e lagështisë dhe temperaturave minimale. Për sa i përket ditës së mërkurë dhe te enjte javën tjetër i nxehti përvëlues zbret në jug. Mbetet sërish Berati dhe Elbasani ku presim temperatura deri 42 gradë, mund të regjistrohet dhe mbi këtë vlerë”, shtoi Porja.
Pasojë e temperaturave të larta do të jenë rrebeshet e shiut dhe breshëri në disa zona të vendit këtë të martë.
“Rrebesh në qendër, jug, dhe juglindje breshër për shkak të zhvillimit të celulave konvektive për shkak të temperaturave të larta”, tha ajo.
Kjo është vala e dytë e të nxehtit pas asaj të qershorit kushënua dhe temperatura 42.5 gradë celsius në Berat. Normalizim të vlerave të termometrit prej 34 -35 gradë celsius meteorologët parashikojnë pjesën e dytë të javës së ardhshme.