Pavarësisht motit me reshje të mëdha shiu në zonat e ulëta dhe me dëborë të dendur në zonat malore të Tiranës, asnjë pjesë e territorit të kryeqytetit nuk ka shfaqur deri më tani probleme me përmbytjet apo bllokimin e akseve rrugore. Kjo falë punës së mirë që është bërë në disa nga piakt problematike, siç është edhe sistemimi i Lumit Tirana, por edhe masave që ka marrë Bashkia e Tiranës për të përballuar situatën.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale garantoi se janë marrë të gjitha masat dhe të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve të bashkisë janë në gatishmëri të plotë. Ai u bën thirrje të gjithë banorëve të Tiranës që të jenë bashkëpunues dhe të kërkojnë ndihmën e strukturave bashkiake për çdo emergjencë.
“Sot është një ditë jo e lehtë për menaxhimin e qytetit! Jemi në terren në Tiranë-qytet, për të shmangur përmbytjet dhe në zonat Tiranë-rrethina, me kripë e skorje për borën! Nëse bashkëpunojmë, të gjithë do t’ia dalim me sukses! 112 për çdo emergjencë! FORCA”, shkruan Veliaj.