I gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq, duke shkaktuar përmbytje të rrugëve, shtëpi nën ujë, ndërprerje të energjisë elektrike në disa vende.
Situata është paraqitur problematike në Lezhë, Durrësi thuajse është ‘paralizuar’ nga reshjet e dendura të shiut, ndërsa në disa akse ka edhe rrëshqitje të dherave.
Anira Gjoni, nga IGJEUM në një intervistë në “NewsLine” në ABC News, u shpreh se situata sot dhe nesër do të vijojë të jetë problematike, pasi rreziku për përmbytje mbetet i lartë si pasojë e reshjeve që pritet të vijojnë në vend. Gjithashtu theksoi se nga e enjtja do të ketë edhe ulje të temperaturave.
“Përgjatë ditës së sotme dhe nesër presim reshje intensive në Shkodër e Lezhë… Në qarqe të tjera pritet që reshjet të jenë mesatare. Sasitë e shtuara ë reshjeve pritet të rrisin nivelin e Liqenit të Shkodrës, edhe në lumin Mat, Shkumbin dhe në Vjosë pritet të ketë rritje të nivelit të ujit. Gjatë ditës së sotme dhe nesër pritet të ketë rrezik të shtuar për përmbytje për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Edhe në Durrës do të ketë reshje, në Shkodër, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Gjirokastër pritet që të vazhdojnë problematika. Situata mbetet shqetësuese edhe ditën e nesërme. Nga e enjtja në mbrëmje do të ketë një rikthim të temperaturave të ulëta dhe rikthim të dëborës në zonat malore”, ka thënë ajo.


