Moti i keq në Greqi, reshje të dendura bore dhe në Athinë

schedule15:25 - 8 Janar, 2019

schedule 15:25 - 8 Janar, 2019

Moti i keq ka përfshirë Greqinë, ku reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat eulëta kanë detyruar autoritetet të mbyllin disa shkolla në zona të ndryshme të vendit. Probleme ka pasur dhe në trafikun e automjeteve.

Vala e motit të keq në Greqi ka shkaktuar një paralizë të konsiderueshme në jetën e vendit. Të martën, madje dhe qendra e Athinës ku ndodhet parlamenti, ishte e mbuluar nga një shtresë e lehtë dëbore, ndërsa zona të tjera të kryeqytetit dita nisi me probleme.

Në disa segmente të autostradës që lidh Athinën me Selanikun qarkullimi i automjeteve ishte i pamunduar për shkak të dëborës apo shtresave të akullit. Treni elektrik funksionoi pjesërisht deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa në linjën e aeroportit, treni suburban qëndroi disa orë i bllokuar në njërin prej stacioneve të ndërmjetme.

Në zonat verilindore të Athinës pati ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, që u rehabilituan deri në mesditë.

Në 46 nga 66 bashkitë e zonës së Atikës shkollat nuk po funksionojnë të martën. Gjithashtu edhe gjykatat. Shkollat janë të mbyllura dhe në pjesën më të madhe të vendit. Në rrugët sekondare është ndaluar qarkullimi i automjeteve me kapacitet mbi 3,5 tonë, ndërsa policia rrugore këshillon përdorimin e zinxhirëve.

Pasojat e të ftohtit janë më të ndjeshme në zona të tjera të vendit, sidomos në veri. Në rrethinat e Dramas u shënua gjatë natës temperatura më e ulët, – 21 gradë, ndërsa në Follorinë – 20. Edhe në zona të tjera temperaturat ishin mjaft të ulëta, nga -19,9 deri në -17,5. Vala e motit të keq në Greqi, që kësaj here është pagëzuar si “Telemaku”, do të vazhdojë edhe gjatë të mërkurës. Problemet më të mëdha priten në zonat bregdetare në perëndim të vendit, me shtrëngata shiu dhe erëra të fuqishme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!